Lojërat Olimpike u kërkojnë qyteteve pritëse të mirëpresin dhjetëra mijë atletë në një fshat olimpik, zakonisht të ndërtuar rishtas.
Shumë prej tyre ripërdoren (ndonjëherë) në mënyra të ndryshme dhe me sukses
Fakte kryesore
Pas thuajse 12 miliardë dollarë të shpenzuara për Lojërat Olimpike në Londër, në vitin 2012, East Village u shndërrua në thuajse 3 mijë shtëpi të reja dhe me restorante, dyqane e shkolla. Sot, apartamentet me dy dhoma gjumi në “Athletes Village” e dikurshëm janë në shitje me çmime më të larta se 1 milion dollarë.
Fshati Olimpik në Rio de Janeiro në 2016, prej 700 milionë dollarësh, është më i madhi në historinë e Lojërave Olimpike. Apartamentet ku qëndruan atletët u shndërruan më pas në vende luksoze, të cilat thuhet se mbetën bosh në vitet në vijim.
Fshati Olimpik që mirëpriti atletët gjatë Lojërave të Mynihut në vitin 1972 – ku 11 atletë dhe trajnerë izraelitë u morën peng dhe u vranë nga grupi terrorist “Black September” – sot është vendi i zhvillimit të dytë më të madh për akomodimin e studentëve universitarë të Mynihut, së bashku me apartamente karakteristike.
Edhe vendi ku u akomoduan atletët e Lojërave Olimpike të Atlantës në vitin 1996 është shndërruar në një kampus për studentët pas përfundimit të Lojërave, së pari për Georgia State University, edhe pse më pas u transferua në Georgia Tech në 2007-n.
Vendet ku u akomoduan atletët gjatë Lojërave Olimpike Dimërore të Sochi 2014, disa buzë detit apo rrëzë maleve ku bëhet ski, janë shndërruar, në pjesën më të madhe në resorte, pas përfundimit të kompeticionit. Vlerësohet se këto kanë qenë ndër Lojërat Olimpike më të kushtueshme në histori, rreth 50 miliardë dollarë në total.
Fshati Turistik i Torinos, në Lojërat Dimërore të vitit 2006 duhej të shndërrohej në një zonë rezidenciale, por ai u nuk u përdor deri në vitin 2016, kur më shumë se 1000 emigrantë dhe refugjatë afrikanë u shpërngulën në këtë strukturë, pasi një program për migrimin italian përfundoi papritur, pa ofruar strehim.
Lojërat Olimpike Tokio 2020
Vendet ku do të akomodohen atletët në Fshatin Olimpik për Lojërat Olimpike Tokio 2020 do të rinovohen për t’u përdorur si apartamente rezidenciale pas lojërave – thonë organizatorët – të cilët po hartojnë një plan “për të krijuar një komunitet të ri ku njerëzit mund të ndërveprojnë dhe të jetojnë qetësisht” – siç shkruhet në faqen zyrtare të Lojërave Tokio 2020.
Lojërat Olimpike Tokio 2020 do të nisin nesër, pasi u shtynë me një vit për shkak të pandemisë së koronavirusit. Duke qenë se shumë atletë kanë rezultuar pozitivë në Fshatin Olimpik, organizatorët nuk e kanë përjashtuar mundësinë e anulimit të lojërave në momentin e fundit. Qyteti i Tokios po përballet me një rritje të ndjeshme të infektimeve. Ndër të tjera, edhe në Lojërat do të zhvilloheshin rregullisht, do të jenë shumë të ndryshme nga kompeticionet e mëparshme.
/ Forbes