Nuk ka asnjë vend në botë që të ketë vaksinuar plotësisht më shumë qytetarë se sa Malta. Me mbi 80% e popullsisë së rritur tashmë të vaksinuar plotësisht, akoma nuk është e mjaftueshme për të mbajtur larg Covid-19.

Me numrin e rasteve që janë rritur me më shumë se 600% gjatë javës së kaluar, arkipelagu Mesdhetar është bërë vendi i parë në Bashkimin Europian që njofton ndalimin e vizitorëve që nuk janë të vaksinuar plotësisht, ose nese janë nën 12 vjeç duhet të kenë një test negativ PCR ndërsa shoqërohen me prindër të vaksinuar.

Ndalimi do të hyjë në fuqi të Mërkurën, me një përjashtim për qytetarët maltezë dhe banorët që tashmë kanë rezervuar një fluturim, por duhet me një test negativ në hyrje.

“Ditët e fundit, shumica e rasteve të reja ishin të lidhur me udhëtimet, njerëz që vinin nga jashtë ose maltezë që shkuan jashtë dhe u kthyen. Shumica prej tyre janë turistë të pavaksinuar, “tha ministri i Shëndetësisë Chris Fearne.

Ai shtoi se shumë raste kanë ardhur nga shkollat ​​angleze, të cilat qeveria gjithashtu do t’i mbyllë përkohësisht.

Më pak se një muaj më parë, Malta tha se njerëzit nga 38 shtete të Shteteve të Bashkuara mund të vizitojnë vendin me një test negativ PCR. Por jo tani më.

Edhe nëse turistët amerikanë mund të provojnë se janë të vaksinuar, Malta pranon vetëm certifikatat e vaksinave të lëshuara në BE ose në Mbretërinë e Bashkuar.

Vendimi i Maltës është shumë shqetësues për industrinë e udhëtimeve dhe për Komisionin Europian, pasi doli kundër qendrimit të bashkuar mbi kufizimet kufitare dhe “pasaportave të vaksinave”, që sapo u miratuan në të gjithë unionin në fillim të këtij muaji.

Korniza e përbashkët e njohur si “çertifikata dixhitale e Covid” përfshin të vaksinuarit, një test negativ PCR, ose të rikuperuarit nga Covid-19. Malta, e cila tashmë ka injoruar opsionin e fundit për muaj me radhë, tani po pranon në mënyrë efektive vetëm një nga tre kriteret që mbështesin një sistem aktiv prej dy javësh.

Komisioni Europian nuk është i kënaqur.

“Çdo [masë e shëndetit publik] që kufizon lëvizjen e lirë duhet të jetë proporcionale dhe jodiskriminuese,” tha zëdhënësi i Komisionit Christian Wigand.

“Një certifikatë vaksine nuk mund të jetë një parakusht për ushtrimin e lëvizjes së lirë”.

Kryeministri maltez Robert Abela tha se shëndeti i maltezëve ka më shumë rendësi.

“Ne tashmë ishim më kufizues se të tjerët dhe tani do të jemi edhe më kufizues … Jeta dhe jetesa e Maltezëve janë ato që kanë rëndësi,” tha ai./Fortune