Fotografia e një blerje të thjeshtë me kartë krediti është bërë nga Visa. Por ka rëndësi edhe besimi te sistemi. Për bitcoin, duhen 6 konfirmime.

“Ndiq paratë” – i këshilloi thuajse gjysmëshekulli më parë, misteriozi Deep Throat*, gazetarët investigues Carl Bernstein dhe Bob Woodward të “Washington Post”, të cilët po hetonin skandalin “Watergate”. Rregulli është i artë dhe vlen ende sot. Problemi është se në vitet ’70, pjesa më e madhe e parave lëvizte në çantë. “Follow the money” paraqitej si një aktivitet i vështirë, por megjithatë, jo i pamundur. Më pas, gjithçka ndryshoi. Pak a shumë, dhjetë vite më parë dhe pak a shumë, njëkohësisht, dy teknologji të “game changer” u shfaqën në planet kur flitet për para, pra, për pagesa.

Bitcoin, mbreti i kriptovalutave, mbart në vetvete një sistem të tërë global pagesash, i krijuar në 2009-n nga një shpikës anonim, i njohur me pseudonimin Satoshi Nakamoto, dhe blockchain, regjistri dixhital rezistent – integriteti i të cilave garantohet nga përdorimi i kriptografisë. Le të jemi të qartë – jo se më parë nuk ekzistonte monedha dixhitale. Por në dekadën e fundit, transaksionet jomateriale kanë regjistruar rritje të dukshme dhe analiza vjen drejtpërdrejt nga Banka Botërore. Nga 4 miliardë transaksione në 2011 në 35 miliardë këtë vit, me Cagr 55%.

Sipas një raporti të fundit të McKinsey, të ardhurat e gjeneruara nga ky treg janë thuajse dyfishuar në periudhën e marrë në shqyrtim, nga 1.1 në 2 triliardë dollarë. Të ardhurat ndahen sipas një logjike me gjeometri të ndryshueshme nga bankat, shoqëritë që lëshojnë karta krediti, fintechs që mundësojnë shërbimin dhe menaxherët e serverëve ku qarkullojnë transaksionet, të cilët garantojnë sigurinë e transaksionit.

Numri i duarve në të cilën kalon çanta e Bernstein e Woodward është rritur dhe tashmë është bërë e pamundur të ndjekësh me sy të lirë logjistikën. Visa – joint venture e Foster City – u përpoq të fotografojë momentin e një transaksioni dhe e ka zbërthyer atë për ta bërë më të kuptueshme se çfarë ndodh “pas skenave” të një pagese dixhitale.

Pavarësisht nëse kryhet online, nëpërmjet Wallet ose kodit QR, përmes një pajisjeje si smartphone apo orë inteligjente, me një kartë “contactless” ose tradicionale, çdo transaksion përbëhet nga një paketë të dhënash që lëviz përmes një rrjeti të gjerë telekomunikacioni, më shumë se 16 milionë kilometra dhe lidhjeve end-to-end. Rrjeti përbëhet nga fibra, interneti, lidhje wireless dhe virtuale, satelitë që lidhin konsumatorët, qeveritë, bizneset dhe institucionet financiare.

Udhëtimi i gjatë i çdo transaksioni nis në momentin kur konsumatori klikon për të paguar. Të dhënat e transaksionit transferohen më pas nga pronari i dyqanit te banka e konsumatorit apo institucioni që kryen pagesën, i cili merr informacionin dhe ia dërgon VisaNet. Në këtë pikë hyn në lojë Inteligjenca Artificiale, nëpërmjet së cilës analizohen aspektet e transaksionit për të përcaktuar vërtetësinë e tij, duke caktuar një rezultat specifik në lidhje me nivelin e rrezikut të mashtrimit.

Informacionet dërgohen më pas te banka që ka lëshuar letrat kredenciale, ose kartat e pagesës, e cila vendos nëse do të miratojë ose refuzojë transaksionin. Nëse operacioni konfirmohet, miratimi merret menjëherë dhe transaksioni përfundon. Menaxheri sigurohet më pas se paratë janë transferuar.

Vetëm Visa administron në këtë mënyrë mesatarisht 500 milionë transaksione në ditë. Praktikisht 350 mijë transaksione në minutë, pak më pak se 6 mijë në sekondë. E pamundur të sigurohet “lead time” pa ndihmën e robotikës, aq sa, në pesë vitet e fundit, Visa ka investuar 9 miliardë dollarë në nivel botëror për të mbrojtur dhe për të zbutur rreziqet e lidhura me sigurinë – në momentin që një konsumator bën një pagesë, shoqëria përdor Inteligjencën Artificiale për ta krahasuar me sjelljen e shpenzimeve të më shumë se 3 miliardë e gjysmë kartave të tjera, që kryejnë rreth 204 miliardë transaksione në vit.

Në këtë mënyrë, mund të zbulohen anomalitë dhe indikacionet e mashtrimit në kohë reale, duke parandaluar, në nivel botëror, mashtrime që arrijnë në 25 miliardë dollarë në vit. Me pak fjalë, jo vetëm një çështje teknologjike, por edhe besimi në sistem: çdo transaksion i vetëm, siç shihet, përfshin disa aktorë – secili me interesa të ndryshme – dhe në mënyrë që gjithçka të shkojë në mënyrën e duhur, çdo lëvizje e vetme në fushën e shahut duhet të përçojë besueshmëri.

Një element i rezervuar, i cili, nëse është i mundur, bëhet edhe më i dukshëm në botën e luhatshme të kriptovalutave. Kur kryhet një transaksion në bitcoin, për shembull, kjo e fundit duhet të miratohet nga rrjeti para se të përfundojë. Komuniteti, për këtë arsye, ka miratuar një standard me 6 konfirmime para se të përfundojë transferimi i parave. Transaksioni mund të kryhet nga disa sekonda në një minutë.

*Deep Throat është pseudonimi i dhënë informatorit sekret që i siguroi informacione në vitin 1972 Bob Woodward, i cili e ndau me Carl Bernstein. Woodward dhe Bernstein ishin gazetarë të “Washington Post” dhe Deep Throat u dha detaje kyçe mbi përfshirjen e administratës së presidentit të SHBA, Richard Nixon, në atë që u bë i njohur si skandali “Watergate”

/ Corriere della Sera