Presidenti i SHBA Joe Biden do të presë në një takim Kancelaren gjermane Angela Merkel të enjten e ardhshme për të afirmuar lidhjet e thella dhe të qëndrueshme mes aleatëve të NATO-s duke trajtuar në të njëtën kohë disa mosmarrëveshje.

Zëdhënësja e  Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha se të dy udhëheqësit do të diskutojnë sulmet kibernetike që kanë goditur kompanitë në Shtetet e Bashkuara dhe në të gjithë botën, si dhe tubacionin e gazit Nord Stream 2.

Psaki tha se do të ishte një vizitë zyrtare pune që synon nxitjen e partneritetit midis dy vendeve dhe identifikimin e mënyrave për të forcuar më tej bashkëpunimin. Kjo do të jetë vizita e parë e Merkel në Uashington që kur Biden mori detyrën në Janar. Merkel ka thënë se do të tërhiqet pas zgjedhjeve kombëtare gjermane në shtator.

Presidenti amerikan e ka parë çështjen e tubacionit prej 11 miliardë dollarësh Nord Stream 2 si një “marrëveshje të keqe”, por nuk ka pranuar të thoshte nëse mund të arrihej një marrëveshje për të shmangur rifillimin e tarifave të pezulluara përkohësisht të SHBA në Nord Stream 2 AG, kompania gjermane.

Berlini dhe Uashingtoni gjithashtu qëndrojnë në mosmarrëveshje për një heqje dorë të përkohshme të të drejtave të pronës intelektuale. Uashingtoni mbështet heqjen dorë, por Gjermania është kundër. Amnesty International dhe grupe të tjera e nxitën Biden në një letër për t’i bërë presion Merkel për të mbështetur heqjen dorë.