Interesi
Një lajkatar
Kryekëput mercenar
Seç e bëri mendjen top
Për t’kërcyer hopa-hop
Pa e matur hapin mirë
Në këtë botë të vështirë
Lajkatari
Mercenari
U mashtrua pa vënë re
Sa hodh hapin gjithë hare,
S’i vajti mendja e shkretë:
Nami-nam s’arrihet lehtë
Lajkatari
Tip qyqari
E ka syrin vëlla me detin
Nuk e ngopi kurrë të shkretin
Ndaj lakmia për më shumë
Nuk e lë të bëjë as gjumë
Lajkatari
Kokëkulari
T’i ndërroj postet s’e pat zor
Nga ministri në drejtor
Krejt me rend sikur atë botë
Pa lëshuar pe as sot
Lajkatari
Vesh gomari
Deri n’tokë di t’përkulet
Gju më gju me popull ulet
Hiç pa turp e sheh, o Zot
Shtiret n’popull patriot!
Lajkatari
Turizagari
Sjellja e tij: krejt trishtim
Që ka vetëm një qëllim
T’i ngre vetes në bregore
Për së gjalli përmendore!
Sevdail Hyseni
(Karikatura marrë nga interneti)