Bullgarët shkojnë të dielën në kutitë e votimit për të dytën herë në tre muaj pas zgjedhjeve parlamentare në prill kur asnjëra nga partitë nuk siguroi shumicën e duhur për të formuar një qeveri. Analistët thonë se akuzat për korrupsion ndaj qeverisë së kaluar mund të ndikojnë tek vota e qytetarëve.

Partia GERB e Boyko Borissovit që ka shërbyer tre herë si kryeministër arriti rezultatet më të mira në zgjedhje, por mori vetëm 26% të votave, një rënie e konsiderueshme nga 33% që mori katër vjet më herët.

Sondazhet e fundit tregojnë se mbështetja për partinë e zotit Borissov ka rënë më tej që kur një qeveri e përkohshme e caktuar nga presidenti i Bullgarisë në maj hapi hetimet mbi pretendimet për korrupsion gjatë kohës që zoti Borissov ishte kryeministër.

Tani sondazhet sugjerojnë një garë të ngushtë midis partisë së tij dhe rivalit të saj kryesor – partia anti-elitë “Ka Njerëz të Tillë” të udhëhequr nga një drejtues i njohur televiziv Slavi Trifonov.

“Ka pasur dy tendenca të qarta në dy muajt e fundit – gërryerja e mbështetjes për partinë GERB, kryesisht për shkak të veprimeve të qeverisë së përkohshme, dhe një rritje e lehtë – por e qartë – e partisë së zotit Trifonov” , thotë analisti politik Dimitar Ganev.

Ai shton se ai nuk sheh asnjë shans që ish-partia qeverisëse e udhëhequr nga zoti Borissov të qëndrojë në pushtet pavarësisht nëse del e para ose e dyta.

“Parashikoj që qeveria e ardhshme të formohet nga të ashtuquajturat parti protestash,” tha zoti Ganev.

Pyetja kryesore në këto zgjedhje është nëse zoti Trifonov dhe dy grupe të tjera anti-korrupsion do të jenë në gjendje të fitojnë vende të mjaftueshme në parlament për të formuar një qeveri funksionale koalicioni.

Borissov më parë kishte arritur të siguronte mbështetje brenda dhe jashtë vendit duke kombinuar retorikën populiste me slogane pro-perëndimore.

Por mijëra vetë dolën në protesta vitin e kaluar duke e akuzuar zotin Borissov dhe qeverinë e tij për mbrojtjen e oligarkëve, se nuk ka reformuar gjyqësorin dhe për shtypjen e lirisë së fjalës.

Hetimet nga qeveria e përkohshme kanë hedhur edhe më shumë dritë mbi disa prej atyre akuzave.

Ministrat e asaj qeverie kanë pohuar se dhjetra politikanë të opozitës ishin përgjuar në mënyrë të paligjshme para zgjedhjeve të prillit dhe se miliarda para publike u janë dhënë kompanive private të favorizuara pa tender dhe njerëzit e biznesit janë bërë objekt frikësimi dhe presioni.

Bullgaria, një anëtare e BE-së dhe NATO-s, gjithashtu është vënë nën vëzhgim nga partnerët e saj perëndimorë për shkak të problemeve me korrupsionin, respektimin e shtetit ligjor dhe ruajtjen e lirisë së medias.

Qeveria amerikane muajin e kaluar sanksionoi disa zyrtarë publikë dhe biznesmenë bullgarë, përfshirë dy oligarkë të fuqishëm dhe rrjetet e tyre që përfshijnë dhjetra kompani nën dyshimet për pjesëmarrje në korrupsion të konsiderueshëm.

Departamenti i Thesarit tha se ky veprim ishte lëvizja më e gjerë e tij ndonjëherë që ka në shënjestër korrupsionin kudo në botë sipas Aktit Magnitsky.

Analistët politikë mendojnë se sanksionet amerikane, të vendosura vetëm disa javë para zgjedhjeve, mund të rrisin argumentet anti-korrupsion të partive opozitare.