Parlamenti i Kosovës, miratoi të mërkurën një rezolutë me të cilën dënohet gjenocidi në Srebrenicë të Bosnjës në korrik të vitit 1995.

Në mbështetje të rezolutës votuan 89 deputetë, ndërsa votimi u bojkotua nga deputetët e Listës serbe të cilët braktisën seancën kur filloi debati për rezolutën.

Në tekstin e rezolutës së miratuar “dënohet ashpër gjenocidi i regjimit serb në Srebrenicë ndaj pjesëtarëve të popullit boshnjak dhe të gjitha shkeljet e të drejtave të njeriut”.

Po ashtu rezoluta dënon “çdo tendencë për të mohuar qëllimisht dhe publikisht gjenocidin e Srebrenicës, me qëllim të denigrimit të viktimave dhe fshehjen e motiveve të krimeve të kryera”, dhe shpall 11 korrikun ditë përkujtimi për gjenocidin në Srebrenicë.

Në korrik të vitit 1995, forcat e serbëve të Bosnjës pushtuan Srebrenicën, një qytet që ishte shpallur zonë e sigurt nga Kombet e Bashkuara. Më shumë se 8 mijë burra e djem boshnjakë u ekzekutuan dhe trupat e tyre u hodhën në varreza masive në zonë. Ajo ishte ngjarja më e rëndë në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore dhe u shpall si gjenocid nga gjykatat e Kombeve të Bashkuara.

Gjykatësit e Kombeve të Bashkuara në fillim të muajit të kaluar vendosën të martën të lënë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm për ish-komandantin ushtarak të serbëve të Bosnjës, Ratko Mladiç, për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Akzuat ndaj tij përfshinin edhe masakrën e Srebrenicës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se rezoluta dhe padia ndaj Serbisë për gjenocid që po përgatit Kosova, do të kontribuojnë që në të ardhmen të mos përsëriten ngjarje siç ndodhën në Srebrenicë.

Qeveria e Kosovës ka pohuar se ka filluar punën për përgatitjen e padisë kundër Serbisë për gjenocid, duke nxitur reagimin e Beogradit. Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, tha se Kosova nuk mund ta bëjë një gjë të tillë, duke bërë thirrje që të heqë dorë nga kjo nismë. Zyrtarë të Beogradit thanë se paralajmërimi i Kryeministrit Kurti është goditje ndaj bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve.

Shqiptarët e Kosovës e cilësojnë gjenocid fushatën e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998-1999, gjatë së cilës u vranë mbi 10 mijë veta, mijëra llogariteshin të zhdukur, ndërsa mbi 800 mijë shqiptarë u dëbuan. Lufta mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.

Ekspertët e kanë cilësuar shumë të ndërlikuar procesin e ngritjes së një padie të tillë ndaj Serbisë, duke tërhequr vëmendjen se “në rast të dështimit të një padie të tillë, dëmet për Kosovën do të ishin të pariparueshme”.

Po ashtu sipas tyre, Kosova nuk mund të ushtrojë një padi të tillë, meqë nuk është anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe as ratifikuese e statutit të Gjykatës Ndërkombëtare për Drejtësi.

Zëvendës ndihmës sekretari Amerikan i Shtetit, Mathew Palmer në një intervistë për RTV21, tha se “një qasje e tillë nuk do t’i kontribuojë zgjidhjes së problemeve midis dy vendeve” dhe se palët “duhet të përqendrohen më shumë në të ardhmen sesa në të kaluarën”.

“Nëse Kosova dëshiron të çojë përpara këtë çështje në Gjykatë, është e drejtë e saj sovrane, por ajo që ne duam të shohim është përkushtimi ndaj bisedimeve dhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë”, tha ai, duke nënvizuar se “duhet të kenë argumente para së të ushtrojnë padinë sepse është çështje e ndërlikuar”.