Mancini: Sa më pak gabime. Enrique: Besnikë të lojës sonë

Është e disata ndeshje që në këtë Europian konsiderohet si finala e parakohshme dhe kjo për shkak të konkurrencës së madhe mes skuadrave. Spanja dhe Italia përballen në gjysmëfinale. Dy skuadra të forta me histori dhe ambicie por në ndeshjen e mbrëmjes së sotme çdo gjë do të fshihet.

Brenda fushës së blertë do të shfaqen karakteret e ndryshme të dy skuadrave. Kurrë nuk e kishim parë Italinë të luante kaq bukur, me siguri dhe më bindjen se kur të vërshëllehet fundi i ndeshjes ata do të jetë fituesit. Pjesa më e madhe e meritës i takon trajnerit Roberto Mancini i cili ka krijuar jo vetëm grupin por edhe atmosferën brenda skuadrës

“Duhet të bëjmë një ndeshje të madhe. Duhet të jemi sa më të ftohtë që të bëjmë sa më pak gabime. Spanja ka dominuar futbollin në botë në 20 vitet e fundit. E dimë që nuk do të jetë e lehtë. Në gjysmëfinalet e kampionatit Europian nuk ka ndeshje të lehta”.

Jo më pak sukses ka edhe Luis Enrique i Spanjës.  Duke i marrë ndeshjet një nga një ka mbërritur deri në këtë fazë të Europianit dhe ka mundësinë që të luajë edhe në finale. Trajneri spanjoll duhet t’i organizojë futbollistët e tij në mënyrë të tillë që të ulë entuziazmin e Italisë pasi për ndryshe, do të jetë shumë e vështirë për ta.

“I vetmi gabim që nuk do të bëjmë është të mos jemi Spanja, do ta luajmë ndeshjen nga minuta e parë në të 90-ën. Pastaj mund të humbasim, të fitojmë apo të barazojmë, por unë e di se skuadra jonë do ti qëndroje besnike shpirtit të saj”.

Italia apo Spanja? Njëra prej të dyjave do të shkojë në finale. E favorizuar duket Italia që nuk ka diskutuar asnjë përballje deri tani.