Sipas një studimi, në muajin qershor, bizneset e Eurozonës e kanë zgjeruar aktivitetin e tyre me ritmet më të shpejta në 15 vjet, falë lehtësimit të më shumë kufizimeve të lidhura me koronavirusin, çka i riktheu ritmin industrisë dominuese të bllokut, asaj të shërbimeve.
Por kjo rritje ka ardhur me një kosto pasi presionet inflacioniste u rritën për shkak të mungesës së punëtorëve dhe ndërprerjes së zinxhirit të furnizimit për shkak të pandemisë.
Indeksi i Menaxhimit të Blerjeve (PMI), që shihet si një matës i mirë i gjendjes së ekonomisë, u rrit në 59.5 muajin e kaluar nga 57.1 që ishte në muajin maj, niveli më i lartë i tij që nga qershori i vitit 2006. Indeksi i Menaxhimit të Blerjeve (PMI) tregon drejtimin mbizotërues ekonomik në sektorët e prodhimit dhe të shërbimeve.
“Indeksi ishte në nivelin e tij më të lartë në 15 vite, duke konfirmuar se rimëkëmbja në ekonominë e bllokut po ecën. Në të njëjtën kohë, akumulimet dhe presionet e çmimeve të prodhuesve nuk po japin shenja uljeje”, thotë Mateusz Urban i kompanisë Oxford Economics.
Një përshpejtim në programet e vaksinimit në Evropë ka bërë që qeveritë të lejojnë që një pjesë edhe më e madhe e industrisë së shërbimeve të rihapen çka bëri që Indeksi i Menaxhimit të Blerjeve të këtij sektori të rritej në nivelin më të lartë që nga korriku 2007.
Aktiviteti në industrinë e shërbimeve në Gjermani u rrit në qershor me ritmin më të shpejtë që nga marsi i vitit 2011 ndërsa në Francë sektori lulëzoi pas lehtësimit të kufizimeve të lidhura me COVID-19-n.
Ndërkohë, në Britani, një vend që ndodhet jashtë zonës së euros dhe Bashkimit Evropian, pas bllokimit veprimtaria e kompanive të shërbimit u kthye në normalitet, por presioni i çmimeve u rrit në nivele rekord.
Rritja e çmimeve
Një raport mbi Indeksin e Menaxhimit të Blerjeve që mbulon prodhuesit e eurozonës, lëshuar javën e kaluar, tregoi se aktiviteti i fabrikave u zgjerua me ritmin më të shpejtë të regjistruar ndonjëherë në qershor, por ai u përball me rritjen më të madhe të kostos së lëndës së para, në më shumë se dy dekada. Këto presione inflacioniste u ndien gjithashtu nga industria e shërbimeve.
Megjithëse rreziqet e inflacionit po shkojnë drejt rritjes, Banka Qendrore Evropiane pritet të ruajë politikën e saj të lirë monetare dhe të shqyrtojë për një kohë tpritjet më të larta të inflacionit përpara se të veprojë, sipas gjetjeve të një raporti të agjencisë së lajmeve Reuters.
Me rritjen e kërkesës dhe mes shpresave për lehtësimin e mëtejshëm të kufizimeve që çojnë drejt një mënyre edhe më normale jetese, optimizmi për vitin e ardhshëm u përmirësua. Indeksi i pritshmërisë mbi biznesin e shërbimeve u rrit në 72.7 nga 71.2, më i larti që nga gushti 2000.
Një tjetër studim publikuar të hënën tregoi se morali i investitorëve në zonën e euros u rrit për të pestin muaj me radhë në muajin korrik, niveli i tij më i lartë që nga shkurti i vitit 2018. Në këtë zhvillim ka ndikuar rihapja e restoranteve, aktiviteteve të shitjes me pakicë si dhe turizmit në një kohë kur rastet me koronavirus po bien./Reuters