Presidenti i Francës, Emmanuel Macron iu bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë për t’u angazhuar si evropianë në përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje “që do t’i bëjë të mundur Beogradit dhe Prishtinës të kthehen tek e ardhmja evropiane”.
Ai tha se të dyja vendet duhet të gjejnë një kompromis.
“Ky është interesi i Kosovës”, tha Macron.
Presidenti francez këto komente i bëri të mërkurën në mbrëmje (23 qershor) para fillimit të takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Macron dhe Kurti në një paraqitje para mediave vlerësuan raportet mes dy vendeve.
Kryeministri Kurti tha se “Evropa është bashkimi më i mirë për t’i hedhur bazat e një paqeje afatgjate dhe të konceptuar drejt”.
“Tanimë realiteti ri ka përbërës të rinj. Ju siguroj se po i ndjekim nga afër zhvillimet e fundit në Bruksel sidomos vizitën e presidentit amerikan (Joe Biden) dhe bisedat me udhëheqësit e shteteve evropiane, të BE-së dhe më gjerë. Ne besojmë se një situatë e re politike po krijohet, një situatë e menduar më mirë me pjesëmarrje më të artikuluara dhe drejtëpeshuara dhe një besim më të lartë”, tha Kurti.
Në këtë situatë, sipas Kurtit, Kosova do të kontribuojë me të gjitha mundësitë e saj.
Macron tha se Kosova, sikurse të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, është e përcaktuar, që sapo të plotësojë kushtet të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.
Por, ai shtoi se për këtë proces, duhet të ketë transformime të thella ekonomike, sociale si dhe sundim të ligjit.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka qenë personalisht i përfshirë në përshpejtimin e procesit të arritjes së një marrëveshjeje midis Kosovës dhe Serbisë por edhe të proceve tjera në Ballkanin Perëndimor.
Nën organizimin e tij dhe të kancelares gjermane, Angela Merkel ishte mbajtur samiti i Berlinit më 29 prill 2019. Por, pak sukses ishte arritur pasi dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ishte ndërprerë për shkak të një takse që kishte vënë Kosova për mallrat serbe.
Më 1 prill, në një letër që presidenti francez Macron ia kishte dërguar kryeministrit Kurti, kishte thënë se ai shpreson që dialogu do të vazhdojë, në mënyrë që të arrihet “një marrëveshje gjithëpërfshirëse, përfundimtare dhe ligjërisht e detyrueshme, e cila është një nga kushtet për afrimin evropian të Kosovës, sikurse edhe të Serbisë”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq u takuan për herë të parë më 15 qershor në Bruksel, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Kurti kishte propozuar nënshkrimin e një marrëveshjeje të paqes, ku Kosova dhe Serbia do të zotoheshin që nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën, si dhe ka kërkuar njohjen e ndërsjellë.
Ndërkaq, Vuçiq kishte ngritur çështjen e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Megjithatë, palët nuk u morën vesh për temat e ngritura.
Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, në takimin e ministrave të Jashtëm të BE-së, të hënën më 21 qershor, ka thënë se në takimin e parë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ata janë pajtuar vetëm për nevojën e vazhdimit të dialogut.
Jehona Lushaku-Sadriu, profesoreshë në departamentin e Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës, konsideron që Qeveria e Kosovës vazhdon të jetë e paqartë lidhur me qëndrimet dhe qasjen e saj ndaj dialogut me Serbinë. Sipas saj, qëndrimet e ekzekutivit vazhdojnë të përplasen me qëndrimet e vendeve partnere dhe aleate të Kosovës përballë dialogut dhe rezultateve të tij.