Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të enjten se nuk mund të ketë Asociacion komunash mbi baza etnike, sepse një mekanizëm i tillë është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
Komentet e kryeministrit Kurti pasuan deklaratën e ambasadorit amerikan në Prishtinë Philip Kosnett, se Kosova e ka detyrim të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Kosnett: Kosova ka detyrim të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe
“Nuk mendoj që është e mundshme në rendin juridik dhe kushtetues të Kosovës të ketë Asociacion mbi baza etnike. Mund të ketë Asociacion të komunave mbi baza zhvillimore, mund të ketë mbi baza gjeografike. Ta zëmë Asociacion të bjeshkëve të Rugovës, të Maleve të Sharrit ose të Lumit Lepenc. Por Asociacion mbi bazë etnike nuk mund të kalojë as sa i përket frymës e as germës së Kushtetutës së Kosovës”, tha kryeministri Kurti për agjencinë e lajmeve Kosovapress.
Çështja e asociacionit u debatua në martën në Bruksel në takimin e parë të kryeministrit Kurti me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në kuadër të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.
Duke u përgjigjur në kërkesën e Beogradit për themelimin e atij asociacioni, kryeministri Kurti tha se Kosova “nuk mund të lejojë përsëritjen e skenarit të Bosnje dhe Hercegovinës”.
Kosova dhe Serbia në vitin 2013 arritën disa marrëveshje në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve, në mesin e të cilave edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, për të cilën u rinegociua në vitin 2015.
Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti shkelje të shumta në marrëveshje dhe sipas opinionit të saj, asociacioni mund të krijohet vetëm sipas kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.
Beogradi ngulë këmbë që Asociacini të themelohet sipas marrëveshjes.
Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës të shpallur më 2008 me mbështetjen e fuqive kryesore perëndimore, por të dyja palët janë përfshirë në bisedime të lehtësuara nga Bashkimi Evropian që nga viti 2011 për arritjen e një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve.
Bisedimet pritet të vazhdojnë nga fundi i muajit korrik dhe nga përparimi i tyre varet edhe përparimi i të dyja vendeve në proceset integruese evropiane.