Një qytet në Kroacinë veriore, i goditur rëndë nga shpopullimi rural, po shet shtëpitë e braktisura për 1 kuna (0.13 euro) në një përpjekje për të tërhequr banorë të rinj.
Legrad, dikur qyteti i dytë për nga popullsia në territorin kroat, ka pësuar rënie të vazhdueshme që nga shpërbërja e Perandorisë Austro-Hungareze një shekull më parë. “Ne jemi shndërruar në një qytet kufitar me pak lidhje transporti me vende të tjera. Që nga ajo kohë, popullsia ka rënë gradualisht” – tha Kryetari i bashkisë së qytetit, Ivan Sabolic.
I rrethuar nga fusha dhe pyje, qyteti është afër kufirit me Hungarinë dhe ka rreth 2,250 banorë, gjysma e numrit që kishte 70 vite më parë. Në përpjekjen e tij të parë, qyteti nxori në shitje 19 shtëpi bosh dhe të braktisura me çmim 1 kuna (0,13 euro) secila, tha kryetari i bashkisë.
Deri më tani, janë shitur 17 prona. Shtëpitë që ofrohen janë në gjendje të ndryshme, me disa gjysmë të rrënuara, pa dyer dhe dritare dhe disa të tjera me mure plot lagështirë.
Bashkia thotë se do të paguajë 25,000 kuna për çdo rikonstrusion të nevojshëm dhe për banorët e rinj që dëshirojnë të blejnë një shtëpi private, qyteti do të mbulojë 20% të çmimit të rikonstruksionit ose 35,000 kuna.
“Ku qëndron kleçka?” Kushtet kryesore për individët ose çiftet që duan të vendosen në Legrad janë dy: ata duhet të kenë aftësi paguese dhe të jenë nën moshën 40 vjeç. Gjithashtu ata duhet të qëndrojnë të paktën 15 vjet në këtë qytet.
“Pas publikimit të lajmit në media të ndryshme, në morëm kërkesa për shtëpi nga vende shumë të largëta si Rusia, Ukraina, Turqia, Argjentina dhe Kolumbia” tha z. Sabolic.
Danijel Harmnicar, një djalë i ri nga Kroacia veriore, i martuar dhe me dy fëmijë të vegjël, e pranoi ofertën dhe bleu një shtëpi me 1 kuna për familjen e tij. “Është shumë më mirë të jetosh në shtëpinë tënde sesa të jesh qiramarrës. Qëndrimi 15 vjet këtu nuk është problem për ne, nuk e kemi në plan të lëvizim,” tha ai. / Reuters