Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara njoftoi të hënën vendimin se imigrantët që ishin lejuar të futeshin në Shtetet e Bashkuara në baza humanitare nuk do të lejoheshin të aplikonin për statusin e banorit të përhershëm nëse kishin kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme. Ky vendim përputhet me qëndrimin e administratës së Presidentit Biden.
Gjyqtarët morën në shqyrtim apelimin e një çifti nga El Salvadori të cilët kishin marrë statusin e mbrojtjes së përkohshme, por një gjykatë më e ulët kishte deklaruar se nuk kishin të drejtë të aplikonin për statusin e banorit të përhershëm, ose siç njihet ndryshe për Kartat e Gjelbra.
Gjykata e Lartë e mbështeti me votë unanime vendimin e gjykatës më të ulët, ku argumentohej se çifti nuk e gëzonte të drejtën për aplikim pasi ishte futur në Shtetet e Bashkuara në mënyrë të paligjshme.
Vendimi mund të ndikojë tek mijëra imigrantë, shumë prej të cilëve kanë jetuar në Shtetet e Bashkuara prej vitesh.
Presidenti Biden, i cili ka anuluar shumë politika të pararendësit në imigracion, ishte kundër kërkesës së çiftit në këtë rast gjë që e pozicionoi presidentin në kampin kundërshtar të grupeve për të drejtat e imigrantëve dhe demokratëve të tjerë.
Një ligj federal që mbulon aplikimin për statusin e rezidentit të përhershëm thotë se ata që aplikojnë për Kartë të Gjelbër duhet të “inspektohen dhe të pranohen” në Shtetet e Bashkuara. Procesi gjyqësor analizoi dilemën nëse Statusi i Mbrojtjes së Përkohshme , i cili i ofron përfituesit “status të ligjshëm” e përmbush standardin që kërkon ligji.
Gjykatësja liberale Elena Kagan, e cila shkroi opinionin shoqërues për vendimin e Gjykatës së Lartë shpjegon se “meqë Statusi i Përkohshëm Mbrojtës nuk ofrohet me një biletë për pranim në këtë vend, nuk eliminon faktin e futjes së paligjshme në SHBA që është faktor skualifikues (në aplikimin për status banimi të përhershëm)”.
Shtetas të huaj aplikojnë dhe mund të përfitojnë Statusin e Përkohëshëm Mbrojtës nëse në vendin e tyre ka pasur një krizë humanitare, si për shembull katastrofë natyrore apo konflikt të armatosur që e bën të rrezikshëm kthimin e tyre në atdhe. Në SHBA ka rreth 400,000 vetë me këtë status që i mbron ata nga dëbimi dhe u jep mundësi të punojnë ligjërisht në këtë vend.