USHTIMË ZJARRI

 

Toka ime e shtrenjtë

Të kam gjak shpirti,

Copë e ngjeshur ashti

Me Ty dertoj çdo përplasje  jete

Më thuaj pash besën tënde

A do m’i ruash gjatë eshtrat e lodhur

Aty brenda palcës tënde plot zjarr

Je ADN-a flakëruese e qenies sime

 

Në flak u rrita

Rrugës së zjarrit udhëtoj

Jam i ngrirë si akull

Dua të shkrihem në diell

Të ngrohem e mos të përvëlohem

Në dashurinë time të bërë tym….

 

 

Fol, fol

Pash gjakun e trupit e zemrën e plasur

Jorgani im arnuar durimeve

A do më mbash në gjirin tendë

Se vuajtjet dertojnë rrugëtimet e gjata,

Zharavë e pasosur kurrë pesëqind vjet

E zemra do të pushoi e qetë

Bujtinave të  magjepsura si në Olimp

 

Aty ku ngrohen shputat e mia të thërrmuara

Zbathur kërcej të mbetur si eshtra të tretur

Rrahishtave e zjarrishtave

Gurishtave të derdhura si erozion i shkriftë

Si  stenda zemre  kurorë kohe

Ku  dëgjohen ushtimë hidhërimesh

Nëpër mote  mashtruese….

 

Fol pash besën toka ime e shtrenjtë

Dhe që rrotullohesh si hi gacash nëpër shekuj

 

Gaz  vajeve të mundimshme

Lot  buzëqeshjeve të dhunshme

Jehonë e tretur largësive

Përvilmë damarëve deri në thellësi….

 

TAITJE MALLI…

 

Ai gur oborri

Si i verbër më shikon përmes plasjeve

E qarjeve vijnë psherëtima vaji

Përjarget guri i ngulitur në dheun tim

Shurdhmemec i them kur nuk dëgjon

E ai ofshanë e ai duron

E unë ia fshij djersët e rrudhave te thella

 

Do gjethe i ngjajnë lëmashkut

I shtresuar në fytyrën brishtë

Gurnajës së  mbetur peng malli

Si fëmijë  rritur lagështisë së harruar

Dhimbshëm shikoja kohën e varur bebëzave

Thinjat buzëqeshin sipër vetullave si kurorë

Shkopi dridhej në shuplakën e dorës

Plot rrudha

 

E koha…

 

Shiringat më nuk gjejnë gjakun venave

Kohë e mbytur në lumë malli

Sa dënesë guri  në këndin  e kullës së rrënuar

O Zot kthema kohën

Se më vjen mall  fletët e jetës t’i lexoj

Si fëmijë në klasën e parë

 

Jeta derë dy kapakësh qenka

Sa të hyrish nga njëra me vaje

Del nga tjetra me lemerisje….

 

Gjakovë

4-5 qershor, 2021