Ballina Ravijëzime Franca vendos 220 milionë euro gjobë kundër Google

Franca vendos 220 milionë euro gjobë kundër Google

 

Kompania Google po ndëshkohet me 220 milionë euro gjobë nga agjencia franceze anti-monopol, e cila e akuzon gjigandin teknologjik se po abuzon me statusin dominant në tregun e reklamave në internet.

Google ka premtuar të reformojë mënyrat se si platforma e tij përdoret për të blerë e shitur reklama dixhitale, të paktën brenda Francës, gjë që pritet të ndikojë në vendimet mbi paditë e tjera kundër kësaj kompanie në Evropë, SHBA dhe pjesë të tjera të globit.

Praktikat e kompanisë në shitjen e reklamave kanë dëmtuar konkurrentët e tjerë si dhe operuesit e faqeve online dhe aplikacioneve, tha të hënën Autoriteti Francez për Konkurrencën. Kjo agjenci tha se kompania ka për detyrë të shmangë dëmtimin e konkurrentëve.

Google nuk i hodhi poshtë faktet e paraqitura dhe preferoi ta mbyllte çështjen duke propozuar disa ndryshime, sipas deklaratës së agjencisë rregullatore franceze.

Marrëveshja e arritur në këtë rast mund të shërbejë si shembull në padi të tjera që ngrenë qeveritë ndaj këtij gjigandi me kontroll dominues në treg, thanë analistët.