Ballina Rajoni Vendoset linjë e drejtpërdrejtë ajrore Shkup-Moskë

Vendoset linjë e drejtpërdrejtë ajrore Shkup-Moskë

 

Me arritjen e aeroplanit të “Nordwind” këtë pasdite në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, zyrtarisht është shënuar vendosja e fluturimit direkt Moskë-Shkup, raporton AnadoluAgency (AA).

Hapja e linjës së drejtpërdrejtë ajrore u shënua nga Ministri i Transportit dhe Lidhjeve Bllagoj Boçvarski, Ambasadori i Federatës Ruse në Shkup, Sergej Bazdnikin, Drejtori i Përgjithshëm i TAV Maqedoni, Metin Batak, si dhe përfaqësues të kompanisë Nordwind.

Ministri Boçvarski theksoi se hapja e linjës ajrore të njërës prej kompanive më të mëdha ruse siç është “Nordwind” është e një rëndësie të veçantë për qytetarët e dy vendeve.

“Me këtë kompani ajrore, ne mundësojmë dhe rinovojmë mundësitë e reja për avancimin e bashkëpunimit në ekonomi, investime, turizëm si dhe lidhjet kulturore midis dy vendeve”, theksoi ai.

Linja e re u mirëprit edhe nga kompanisë TAV, Metin Batak.

Duke vënë në dukje se është i lumtur që “Nordwind” ka vendosur të fillojë fluturimet nga Moska në Shkup, ai tha se lidhja ajrore midis dy vendeve po hapet pas një pauze 20-vjeçare.

“TAV beson fuqimisht se linja ajrore Moskë-Shkup ka një potencial të madh dhe se do të jetë e dobishme si për biznesin ashtu edhe për ata që udhëtojnë për shkaqe rekreative”, tha Batak, duke shtuar se ardhja e kompanisë ruse në Shkup është sinjal i mirë pas pandemisë COVID-19.

Ambasadori Bazdnikin në fjalën e tij tha se hapja e destinacionit të ri po ndodh në periudhë tejet të vështirë për turizmin në botë.

“Unë do të doja të përgëzoja kompaninë ruse, e cila është e njohur për nivelin e lartë të shërbimit dhe sigurinë e fluturimit. Është veçanërisht kënaqësi fakti që ajo ka treguar një farë guximi me vendimin për të filluar fluturimet në një drejtim të ri në një nga periudhat më të vështira për zhvillimin e ekonomisë dhe turizmit në botë”, tha ambasadori rus Bazdnikin.

Në konferencën për media gjithashtu u tha se kompania “Nordwind” ofron fluturime në më shumë se 200 destinacione në 95 qytete në 20 vende me mbi 650 fluturime në javë.