Ballina Aktualitet Europa ime: Të rrëfesh botën ndryshe

Europa ime: Të rrëfesh botën ndryshe

 

Aty ku i mbyllin dyert europianët për shkak të krizës, shkojnë e i hapin migrantët nga vendet jashtë BE. Historitë e tyre të lenë të kuptosh, po krijohet një mit i ri, shkruan Stanislaw Straburger.

Pranverë 2021, Albufeira, Portugali e jugut. Unë vazhdoj me hulumtimet për sipërmarrëse e sipërmarës me prejardhje migracioni në kohët e Covid-19. Fokusi im drejtohet tek migrantet e migrantët nga India. Prezenca e tyre aty nuk mund të anashkalohet. Nganjëherë kam përshtypjen, se në Albufeira mund të ushqehesh më shpesh me ushqim indian, se sa portugez. Për çdo lloj kulete gjen diçka. Nga restorantet e klasit të parë deri tek lokale të thjeshtë apo supermarkete të vegjël. Nuk flas vetëm me gastronome e gastronomë apo pronare e pronarë të dyqaneve elektronike, të vetëpunësuara e të vetëpunësuar në bujqësi, investitore e investitorë, që blejnë hotele apo toka. Nuk ka të dhëna të sakta për numrin e indianeve apo indianëve në Albufeira. Në Gurudvara, tempullin e vetëm të komunitetit Sikhs pranë Lisbonës, më thuhet se mund të jenë rreth 5000 vetë. Kjo do të thotë një në pesë vetë në Albufeira. Edhe busti i Mahatma Gandhit, që u inagurua me ceremoni në vjeshtë dëshmon për marrëdhënien e veçantë të qytetit me të ardhurit nga India.

Shkëlqimi i ri

Një nga investitorët quhet Firoz. Para pak kohësh ai ka blerë aksione të një qendre komerciale gati të rrënuar në një godinë të lartë, dhe po bëhet gati të hapë zyra për punë në komunitet, të japë me qira dyqane të vogla dhe disa restorante. Një gjysmë dite unë e shoqëroj në punën e takimet e tij me punonjës apo partnerë të biznesit. “Kjo ndërtesë e lartë ka qenë dikur plot jetë”, thotë Firoz. “Ka pasur restorante, butikë, një kinema dhe një disko të preferuar. Si turistët edhe vendasit kanë ardhur këtu. Sot turizmi përqëndrohet sidomos në qytetin e vjetër. Dua t’ua kthej banorëve këtë ndërtesë me një shkëlqim të ri.”

Firzot ka planë të mëdha. Në truallin e tij, pak minuta me automjet në brendësi të vendit ai dëshiron të kultivojë perime në sera. Fokusi është tek perimet apo erëzat e kuzhinës indiane. Planet janë gati, farat e importuara po ashtu. Firoz mban marrëdhënie të mira më fqinjët, blen vezët aty, me një tjetër bie në ujdi për përdorimin e përbashkët të një burimi ujor. E sigurisht që ai flet rrjedhshëm portugalisht.

Kur unë e pyes për të shkuarën e tij, më rrëfen një histori spektakolare të odisesë së tij në Europë. “Kam ardhur me një 100 dollarësh nga Gjeorgjia në Varshavë. Në Poloni ka shumë indianë. Por nuk isha i bindur. Pastaj bleva një biletë për në Berlin. Ajo që nuk e dija; Në Gjermani ti shpejt futesh në një qorrsokak. Ose jeton nga lëmoshat e shtetit, ose duhet të shërbesh curry me krem pana, që njerëzit të hanë në restorantin tënd. Ndryshe nga Gjermania, Portugalia ua bën të lehtë sipërmarrësve. Jam prej gjashtë vjetësh këtu.”

Historitë pas historive

Sidomos jugu i Portugalisë është goditur rëndë ekonomikisht që nga koha e pandemisë. Turistët në masë të madhe qëndruan larg, shumë sipërmarrje falimentuan. Por aty ku mbyllin dyert të tjerët, shkojnë e i hapin migrantët nga vendet jashtë BE. Dua të di nga Firozi, si është e mundur kjo. “Nuk ka rëndësi, se çfarë mendojmë ne për Covid-19. Virusi është në kokat tona. Dhe do të qëndrojë me vite aty. Ky është realiteti, me të cilin kam të bëj unë si sipërmarrës. Nuk përpiqem të ve në dyshim apo ta ndryshoj këtë. Unë orientohem nga klientët e nevojat e tyre.”

Një partner i biznesit me Firoz dhe pronar restoranti flet më qartë. ” Nëse unë do ta drejtoja sipërmarrjen time, e do habitesha si bënë politikanët tanë një vit pas krizës, kur shifrat rriteshin sërish, do të kisha dalë jashtë loje. Nuk mund të kuptoj, pse duhet të kemi pamje të dyshekëve në dyshemenë e një qendre sporti në Portimao. Sikur nuk është e mundur që në një vit të ngriheshin disa spitale. Ato nuk do ishin pa funksion. Ne nuk kemi nevojë për kufizime të reja, por për një sistem të ri shëndetësor. Në Gjermani kjo është pak a shumë kështu, apo?”

Tek sipërmarrësit nga India, Senegali, Brazili, Angola apo vende të tjera, me cilat bisedoja, vihej re skepticizmi i madh kundrejt menaxhimit të krizës në vendet europiane. Këtë nuk e ndrysojnë as raportimet nganjëherë shokuese në mediat e vendeve të tyre. Shumë nga ata që udhëtojnë shumë, dhe e kuptojnë situatën në vende të ndryshme raportojnë për zhgënjim, zemërim, dhe heqje dorë kudo në Europë. Jeta gjithnjë e më shumë po ndërron skenë, thonë ata, si nga ana shoqërore edhe ekonomike.

Stanislaw Strasburger

Miti i vjetër i ri

Nëse këto histori që më tregojnë ata janë të vërteta, nuk mund ta them se nuk i verifikoj dot deri në detaje. Kjo nuk ka lidhje vetëm me burimet financiare që më janë vënë në dispozicion si autor në profesion të lirë. Historitë vetë janë domethënëse. Ato të lenë të kuptosh krijimin e një miti të ri. Dikush zbulon një botë të re, raporton për rënien e saj, dhe e shikon këtë si shans personal. Tek ky mit bën pjesë edhe rikrijimi i biografisë tënde. Vërtet ky mit më kujton diçka. Rrëfimin e zotërinjve kolonizatorë. Vetëm se këtë herë objektivi është Europa. Qartë, ky mit nuk shërben këtë herë të zbukurojë imperializmin. Pas atyre, me të cilët bisedoj nuk ka shtete militariste dhe ambicie territorialiste. Më shumë ky mit vlen për të krijuar një imazh për veten, që në fund i vlen edhe komunitetit lokal dhe në të njëjtën kohë edhe sipërmarrjes. Unë personalisht mund të jetoj pa problem me këtë. Në një kohë që jam edhe fans i madh  kuzhinës indiane. Por jo patjetër me krem pastiçerie.

Stanislaw Straburger është shkrimtar dhe menaxher kulture. Pikërëndesat e punës së tij janë kujtesa dhe mobiliteti, ai kërkon për EUtopi-në dhe beson tek koncepti i “mindfulness”, vëmendjes së plotë për veten. Romani i tij i fundit, “Tregtari i historive” është botur në disa gjuhë. Autori i lindur në Varshavë jeton mes Berlinit, Varshavës dhe disa qyteteve mesdhetare. Hulumtimet për këtë artikull u mundësuan falë një mbështetjeje me bursë nga Senati i Berlinit.