Shqipëria u rendit shumë keq në një nga treguesit më të rëndësishëm të zhvillimit të qëndrueshëm global, vdekshmërinë foshnjore.
Shqipëria u rendit e para në Europë me normën më të lartë të mortalitetit për foshnjat nën 1 vjeç për vitin 2019. Eurostat raportoi sot se më 2019 në Shqipëri kishte 10.3 fatalitete në 1000 lindje të gjalla. Të dhënat e krahasueshme, tregojnë se koeficienti i vdekshmërisë foshnjore ishte më shumë se trefishi i mesatares europiane prej 3.4.
Në vitin 2019 rreth 14 100 fëmijë vdiqën në Bashkimin Europian para se të mbushnin një vjeç.
Gjatë dekadës së fundit, niveli i vdekshmërisë foshnjore në BE ra nga 4.2 vdekje për 1000 lindje të gjalla në 2009 në 3.4 vdekje për 1 000 lindje të gjalla në 2019.
Në vitin 2019, nivelet më të larta të vdekshmërisë foshnjore në Europë u regjistruan në Shqipëri me (10.3 vdekje për 1 000 lindje të gjalla), Turqia (9.1) Kosova (8.7). Në të kundërt, shkalla më e ulët u regjistrua në Islandë (1.1 vdekje), e ndjekur nga Sllovenia, Estonia me 1.6, Norvegjia me 2.1, Suedia me 2.1 etj.
Krahasuar me 1961, vdekshmëria foshnjore u ul në të gjitha Shtetet Anëtare të BE * me uljet më të mëdha të regjistruara në Portugali (nga 88.8 vdekje për 1 000 lindje të gjalla në 1961 në 2.8 në 2019), Rumani (nga 71.4 në 1961 në 5.8 në 2019) dhe Kroacia (nga 62.9 në 1961 në 4.0 në 2019).
Tre vitet e fundit, Shqipëria përmbysi përpjekjet e tre dekadave, kur vdekshmëria e foshnjave nën një vjeç rinisi rritjen e mprehtë. Të dhënat zyrtare tregojnë se në shkallë vendi, në vitin 2020 humbën jetën 281 foshnja deri në 1 vjeç, ndërsa në vitin paraardhës 293 foshnja, niveli më i lartë që nga viti 2012. Rritja e fenomenit për të dytin vit ndodhi në një kohë që lindjet ranë me shpejtësi.
Për rrjedhojë koeficienti i vdekshmërisë foshnjore mbeti i lartë edhe në vitin 2020 me 10 fatalitete për 1000 lindje të gjalla. Me këtë nivel mortaliteti në fëmijë Shqipëria rrezikon të kryesojë Europën edhe për vitin 2020.
Teksa të gjitha shtetet e kanë sjellë këtë tregues në rënie, vetëm Shqipëri po tregon rritje të mprehtë..
Vdekshmëria foshnjore është një nga treguesit më të rëndësishme për të parë zhvillimin njerëzor dhe ekonomik të një vendi. Shume organizata që kanë profil ekonomik i referohen vdekshmërisë foshnjore për të parë arritjet e gjithanshme të një vendi. Kombet e Bashkuara e kanë renditur treguesin e mortalitetit të foshnjave një ndër 30 objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm global për mijëvjeçarin.