Oxfordshire i Anglisë pritet të bëhet rajoni i parë në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Europë që do të ndalojë krejtësisht konsumin e cigarit edhe në ambjentet e jashtme. Propozimi i shpallur në Këshillin Rajonal parashikon se deri në vitin 2025 të jetë ndaluar krejtësisht pirja e cigares në rrugët, sheshet dhe përpara lokalave dhe restoranteve të rajonit që mbartin dhe universitetin më prestigjoz në botë.
Ligji do të shkojë deri atje sa të ndalojë dhe sipërmarrjet apo koorporatat e mëdha të krijojnë hapësira të caktuara për duhanpirësit, që të bëjnë pushimin tradicional pesë minutësh.
“Bota post-pandemike duhet të jetë një botë ku njerëzve duhet t’u mundësohet shpëtimi nga duhanpirja”– shkruhet në gazetën lokale Oxford Mail.
Rreth 12% e banorëve të zonës janë duhanpirës të rregullt dhe rezulton se shtresat më të varfëra ekonomike janë ato që konsumojnë më tepër, çka duket se do të dëmtojë të disavantazhuarit më shumë.
Iniciativa është ndeshur me shumë kritika nga grupe që gjykojnë se ndalimi tymosjes në hapësirat publike është një shkelje e të drejtave: “Nuk ka punë Këshilli t’iu imponojë njerëzve të rritur nëse duhet të pinë duhan ose jo, ajo është puna dhe e drejta e tyre private”- ka thënë Simon Clark, drejtori i lobit të cigares në Britani.