Shtetet e Bashkuara po shfaqin vendosmëri për të zbardhur plotësisht të vërtetën lidhur me dyshimet e zbulimit amerikan se COVID-19 doli nga laboratori i virologjisë në Uhan të Kinës.

Kryevirologu Anthony Fauci i kërkon Kinës të bëjë publike të dhënat shëndetësore të 9 personave, të cilët janë infektuar në mënyrë ende të pashpjegueshme.

Duke folur për prestigjiozen Financial Times, Fauci thotë se veç 3 virologëve të laboratorit të Uhanit që dyshohet se janë infektuar në Nëntor 2019, ai kërkon të dijë edhe për 6 minatorë kinezë të infektuar në një shpellë, habitat të lakuriqëve të natës në 2012-ën.

“Do doja të shihja regjistrat mjekësorë të 3 personave që rezultojnë të jenë sëmurë në 2019-ën, për të parë nëse a u sëmurën vërtetë? Nëse po, pse u sëmurën? E njëjta gjë edhe për disa minatorë që u sëmurën disa vite më parë. Çfarë thonë regjistrat për ta? A u prekën nga ndonjë virus?”

Por zëdhënësi i ministrisë së Jashtme të Kinës, Uang Uenbin i quajti “teori konspirative” dyshimet se koronavirusi doli nga laboratori i Uhanit. Sipas tij, mes stafit dhe studentëve të institutit nuk ka pasur asnjë të infektuar me Covid-19.

Sakaq, presidenti amerikan Joe Biden shpalli planin për dhurimin e 75% të dozave të papërdorura për vendet e huaja. Nga 25 milionë doza që do të jepen si donacion kundër pandemisë përfiton edhe Kosova.