Ministri i Shëndetësisë i Turqisë, Fahrettin Koca, i ka kërkuar botës të vaksinojë kundër koronavirusit të ri (COVID-19) familjet e punonjësve të kujdesit shëndetësor, pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) njoftoi se pandemia ka vrarë 115 mijë punonjës të kujdesit shëndetësor, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministri Koca foli në Asamblenë e 74-të Botërore të Shëndetit dhe kërkoi nga bota të vaksinojnë kundër virusit COVID-19 familjet e punonjësve të kujdesit shëndetësor.

Sipas tij, nuk është e mjaftueshme të vaksinohen vetëm punonjësit e kujdesit shëndetësor.

“Besoj se familjet e punonjësve të kujdesit shëndetësor, të cilët përballen me të njëjtin kërcënim, po ashtu duhet të kenë përparësi. I bëj thirrje gjithë botës për këtë çështje. Në Turqi kemi filluar vaksinimin e familjeve të punonjësve shëndetësor”, tha Koca.

Ai po ashtu përmendi sulmet ndaj institucionet shëndetësore në konfliktin e fundit në Gaza dhe Izrael.

Pa përmendur një komb specifik, ministri turk tha se një shtet në bordin ekzekutiv të OBSH-së “përbën një kërcënim për shëndetin e njeriut duke shënjestruar pa mëshirë spitalet që ofrojnë shërbime të kujdesit shëndetësor”.

“Nëse ne e injorojmë këtë qasje çnjerëzore, duke mos ngritur ndërgjegjësimin e nevojshëm si komunitet shëndetësor për atë që po ndodh në Palestinë dhe nëse nuk reagojmë, ideja e ndërtimit të një bote të drejtë dhe të shëndetshme nuk mund të shkojë përtej thjeshtë fjalëve dhe këto takimet nuk do të kenë asnjë kuptim”, u shpreh Koca.