Ballina Aktualitet Kroacia ndihmon Kosovën me 10 mijë doza vaksine

Kroacia ndihmon Kosovën me 10 mijë doza vaksine

 

Kroacia do ta ndihmojë Kosovën me 10 mijë doza të vaksinës kundër koronavirusit.

Marrëveshja për të proceduar me këtë ndihmë është nënshkruar nga ana e ambasadores së Kroacisë në Kosovë, Danijela Barishiq dhe zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës.

Sipas një komunikate të Ministrisë së Shëndetësisë, ministri, Arben Vitia e ka njoftuar ambasadoren Barishiq me ecurinë e vaksinimit të grupeve prioritare sipas Planit shtetëror të Vaksinimit, mënyrën se si institucionet e Kosovës po ballafaqohen me pandeminë COVID-19 dhe sfidat në sistemin shëndetësor gjatë kësaj kohe.

Në njoftim nuk është bërë e ditur se kur do të pranojë Kosova këto vaksina dhe të cilit prodhues janë.

Në Kosovë është duke vijuar vaksinimi në qendrat e vaksinimit në qytete të ndryshme të Kosovës, ku po vaksinohen personat mbi 65 vjeç, të regjistruar në platformën elektronike eKosova dhe sipas listave në dispozicion të Qendrave Kryesore të Mjekësisë Familjare. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, deri të më 20 maj, mbi 55 mijë qytetarë janë imunizuar me vaksinat e dhuruara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Bashkimi Evropian.

Plani shtetëror i imunizimit është i ndarë në tri faza.

Në fazën e parë janë përfshirë punëtorët shëndetësorë, personat mbi 80 vjeç, banorët e shtëpive të kujdesit dhe ata me sëmundje kronike.

Në fazën e dytë bëjnë pjesë personat 65-79 vjeç, mësimdhënësit dhe forcat e sigurisë që janë të përfshirë në menaxhimin e pandemisë.

Ndërkaq, në fazën e tretë pritet të bëhet vaksinimi i 50 për qind të popullatës.