Ballina Kryesore Saqipi: Politika provinciale, kthen gjendjen e të drejtave të njeriut të para...

Saqipi: Politika provinciale, kthen gjendjen e të drejtave të njeriut të para 20 vjetësh

 

Këto ditë, një Delegacion i Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut në Serbi, i kryesuar nga SonjaBiserko, ka vizituar Bujanocin, Preshevën dhe Medvegjë, për të mësuar nga afër për diskriminimin sistematik të shqiptarëve në Serbi.

Në takim me Sonja Biserkon, nga rendën të parët për t’u takuar disa përfaqësues të institucioneve në Luginë të Preshevës dhe disa krerë të shoqatave joqeveritare dhe mediale, të cilat e shfrytëzuan këtë takim më shumë për dukjen e tyre para publikut, se sa për të marrë aksione konkrete në luftimin e këtyre dukurive diskriminuese shtetërore.

Komiteti i Helsinkit i Sonja Biserkos dhe Fondi për të Drejtat Humanitare i Natasha Kandiqit, janë organizata joqeveritare të financuara nga ndërkombëtarët, për t’i hulumtuar, evidentuar dhe sensibilizuar problemet, me të cilat ballafaqohen pakicat kombëtare në Serbi, por jo edhe për t’i zgjidhur ato!

Këto organizata, janë të ngjashme me ato të Këshillit për të Drejtat e Njeriut, siç ka qenë dikur ai i Bujanocit, për ta alarmuar opinionin e brendshëm dhe të jashtëm për gjendjen e pakicës shqiptare në Luginë të Preshevës, sidomos gjatë periudhës së regjimit famëkeq të Sllobodan Millosheviqit, që në këtë rajon u përfshi në konflikte të armatosura.

Lidhur me këtë vizitë Jetapress, ka shkëputur një deklaratë nga koordinatori i shoqërisë civile Nexhmedin Saqipi, i cili thotë me bindje të thellë se angazhimi i shoqatave të tilla dhe plotika provinciale na kthen në gjendjen e të drejtave të njeriut të para 20 vjetësh.

“Spektri politik shqiptar, pas përfundimit të konflikteve të armatosura, që nga viti 2002, është përcaktuar për zgjidhjen e problemeve me rrugë institucionale, duke marrë pjesë aktive në zgjedhjet lokale dhe parlamentare. Drejtuesit e pushteteve lokale, Këshillit Nacional dhe deputetët popullorë, duhet t’i thërrasin krerët shtetëror të vijnë në Luginë të Preshevës, sepse vetëm ata janë kompetentë për zgjidhjen e problemeve, e jo shoqatat e tilla, të cilat gjatë konflikteve të armatosura ishin në rajonin tonë, sa për t’i evidentuar rastet e diskriminimit e për të bërë presion te Beogradi për zgjidhjen e tyre. Por, ne tani nuk jemi në nivelin e gjendjes së të drejtave të njeriut, kur kemi pushtete lokale dhe nacionale dhe nuk i shfrytëzojmë ato sa e si duhet për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve”, thotë mes tjerat Koordinatori Saqipi.

Vlen të ceket se  kur ndodh të vijnë qeveritarët nga Beogradi për ta vizituar jugun e Serbisë, liderët institucionalë të Bujanocit dhe Preshevës ikin, nuk i pritin ata, për të krijuar një përshtypje artificiale te elektorati, se ata nga Lugina, nuk i bëjnë mall zyrtarët nga Beogradi!

Mbi të gjitha problem qëndron në atë se lidershipishqiptar vuan nga kompleksi për të qenë i parë në pushtete lokale dhe qendrore dhe në emër të një bajraktarizmi dhe “Unifikimi” fiktiv, ata krijojnë përçarje, ndasi dhe hakmarrje lokaliste, çka po i kushton shtrenjtë popullatës shqiptare në Luginë të Preshevës, e cila në heshtje po e zbraz këtë rajon për të kërkuar një jetë më të mirë në perëndim. /Jetapress/