Qeveria e Indisë ka urdhëruar platformat e mediave sociale që të heqin të gjithë përmbajtjen, ku përmendet “varianti indian” i koronavirusit.

Varianti B.1.617, që fillimisht u identifikua në Indi vitin e kaluar, thuhet se është varianti më i përhapur i COVID-19 në shtetet e Azisë Jugore.

Ky variant po ashtu është përhapur në Britani dhe në të paktën 43 shtete të tjera dhe termi “varianti indian” përdoret gjerësisht për t’iu referuar mutacionit të koronavirusit, që fillimisht u identifikua në Indi.

Ky urdhër i qeverisë, që u dërgua të premten nga Ministria për Informacion dhe Teknologji, vë në pah ndjeshmërinë e qeverisë ndaj akuzave për menaxhimin jo të duhur të valës së re të pandemisë.

Në këtë urdhër, ministria tha se kompanitë e mediave sociale duhet “të heqin përmbajtjen” ku i referohen variantit të ri si “varianti indian”.

“Kemi kuptuar se një deklaratë e rreme që po qarkullon në internet, ku thuhet se ‘varianti indian’ i koronavirusit po përhapet në të gjitha vendet. Kjo është plotësisht e pavërtetë”, thuhet në këtë dokument, të cilin e posedon agjencia AFP.

Ministria indiane po ashtu ka përsëritur thirrjet për të frenuar “lajmet e rreme dhe keqinformimin” në rrjetet sociale rreth pandemisë.

Në urdhrin qeveritar po ashtu thuhet se Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk e ka lidhur asnjë shtet me variantin B.1.617 të koronavirusit.

OBSH-ja javën e kaluar ka thënë se ky variant i virusit është “kërcënim global” teksa po përhapet në mbarë botën.

Disa shtete kanë vendosur kufizime për pasagjerët që vijnë nga India, që prej se u shfaq ky variant.

Përveç variantit B.1.617, deri më tani janë identifikuar disa variante të tjera, që fillimisht janë shfaqur në Britani, Brazil dhe Afrikë të Jugut. Vetë Qeveria indiane i ishte referuar si “varianti britanik” variantit të virusit që fillimisht ishte identifikuar në Britani.

Qeveria indiane është kritikuar për menaxhimin e valës së re të pandemisë. Ky shtet përballet me mungesë të oksigjenit, vaksinave, shtretërve të lirë nëpër spitale si dhe ilaçeve.

Muajin e kaluar, Qeveria indiane kishte urdhëruar Twitter-in dhe Facebook-un që të hiqnin dhjetëra postime ku kryeministri indian, Narendra Modi kritikohej për menaxhimin e pandemisë.

India, që prej fillimit të pandemisë, ka regjistruar 26.2 milionë raste me koronavirus dhe 295.525 viktima. Pothuajse gjysma e numrit të përgjithshëm të viktimave janë shënuar gjatë fundit të muajit mars.