Mbrëmë, në natën e dytë të gjysmëfinales të Festivalit Evropian të Këngës “Eurovision”, Anxhela Peristeri u kualifikua e para për finale.

Në konferencën për shtyp, që u mbajt pas përfundimit të gjysmëfinales së dytë, Anxhela u shpreh e lumtur për suksesin.

E pyetur se si ndjehet pasi doli vet në skenë dhe arriti që të sigurojë votat e Evropës për finalen e madhe, Anxhela tha “Nuk kam fjalë të përshkruaj ndjenjat e mia tani. Ishte mahnitëse, sepse isha e para dhe nuk e prisja këtë. I dua të gjithë shqiptarët që më votuan, të gjithë shtetet europiane, jam shumë mirënjohëse. Ndihem shumë e lumtur tani. Faleminderit”.

Ndërsa, e pyetur nga gazetarët se si ndihet pasi Shqipëria për herë të tretë radhazi futet në finalen e madhe të “Eurovision”, këngëtarja kishte disa fjalë edhe për artistët e tjerë.

“Ndihem e lumtur, sepse Shqipëria e meriton, jemi një vend i vogël, por kemi artistë shumë të mirë. Të gjithë duhet ta njohin vendin tonë dhe muzikën tonë”, u shpreh ajo.