Fitimet nga vaksinat kundër COVID-19, kanë ndihmuar që të paktën 9 persona të bëhen miliarderë, u tha të enjten nga një grup i një fushate, duke bërë thirrje për t’i dhënë fund “kontrollit monopolizues” të korporatave farmaceutike mbi teknologjinë e vaksinave, raporton AFP.
“Midis tyre, 9 miliarderë të rinj kanë pasuri të përbashkët prej 19.3 miliardë dollarë (15.8 miliardë euro), para këto të mjaftueshme për të vaksinuar të gjithë njerëzit në vendet me të ardhura të ulëta, 1.3 herë”, tha në një deklaratë Aleanca për Vaksinat e Popullit.
Kjo aleancë, që është një rrjet i organizatave dhe aktivistëve që po bëjnë fushatë për t’i dhënë fund të drejtave pronësore dhe patentave për vaksinim, tha se shifrat e saj bazohen në të dhënat e Listës së të Pasurve të Forbes-it.
“Këta miliarderë janë fytyra njerëzore e fitimeve të mëdha që shumë korporata farmaceutike, kanë realizuar nga monopoli që kanë mbi vaksinat”, tha Anna Marriott nga shoqata bamirëse “Oxfam”, që është pjesë e kësaj aleance.
Përveç këtyre mega të pasurve të rinj, 8 miliarderë ekzistentë kanë parë pasurinë e tyre të rritet, bashkarisht për 32.2 miliardë dollarë, duke iu falënderuar shpërndarjes së vaksinave, tha kjo aleancë.
Kjo listë e miliarderëve të rinj, kryesohet nga CEO i Modernas Stephane Bancel dhe homologu i tij i BioNTech Ugur Sahin.
Tre miliarderë të rinj të tjerë, janë bashkëthemelues të kompanisë kineze të vaksinave, CanSino Biologics.
Ky studim vjen përpara Samitit Global të Shëndetit i G20-ës i së premtes, i cili ka qenë një rrufepritës për thirrjet në rritje për të hequr përkohësisht mbrojtjen e pronës intelektuale mbi vaksinat kundër COVID-19.
Përkrahësit e kësaj thirrjeje, thonë se kështu do të rritej prodhimi në vendet në zhvillim dhe do të adresohej qasja dramatikisht e pabarabartë në vaksina.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe personaliteti aq me ndikim Papa Françesku, mbështesin idenë e të hequrit dorë botërisht nga mbrojtja e patentave.
Në një samit të marten në Paris, për fuqizimin e financimeve në Afrikë gjatë pandemisë, Presidenti i Francës Emmanuel Macron, bëri thirrje për të hequr “të gjitha kufizimet rreth pronës intelektuale që bllokon prodhimin e disa llojeve të vaksinave”.
Komisioni Evropian tha të mërkurën, se duhet qenë konstruktiv në bisedimet me Organizatën Botërore të Tregtisë për këtë çështje.
“Vaksinave me efektivitet të lartë, u kemi kushtuar shuma masive të taksapaguesve tanë, andaj nuk është e drejtë që individë privatë po arkëtojnë qindra miliarda, përballë valës së dytë dhe të tretë krejtësisht të pambrojtur”, tha Heidi Chow, menaxher i Fushatës Drejtësi Botërore Tash (Global Justice Now), e cila ka ndihmuar në analizimin e të dhënave të miliarderëve.
“Teksa mijëra njerëz vdesin çdo ditë në Indi, është krejtësisht e pështirë … të vendosësh interesat e pronarëve miliarderë të Farmacisë së Madhe, përpara miliona njerëzve dëshpërimisht në nevojë”, shtoi ajo.
Prodhuesit kanë theksuar se mbrojtja e patentave nuk është faktor kufizues për rritjen e prodhimit të vaksinave.
Ata thanë se një gamë e gjerë çështjesh, nga ndërtimi i vendeve të prodhimit te sigurimi i lëndëve të para, e deri te disponueshmëria e personelit të kualifikuar, po e vonojnë procesin e prodhimit./REL