Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, zhvilloi të hënën pasdite (17.05.) një videokonferencë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Zëvendëszëdhënësja e qeverisë gjermane, Ulrike Demmer, bëri të ditur se “në qendër të bisedës ishin marrëdhëniet dypalëshe dhe ekonomike, afrimi i Kosovës me BE, dhe dialogu i ndërmjetësuar nga BE mes Kosovës dhe Serbisë.”
Në daklaratë thuhet më tej se “kancelarja gjermane dhe kryeministri folën edhe për ndihmën që ka marrë Kosova nga Gjermania për luftimin e pandemisë” dhe se “kancelarja i siguroi kryeministrit të Kosovës mbështetjen e Gjermanisë për rrugën e reformave të vendit.”
Siç mësoi DW nga qarqe qeveritare në Berlin, në takim u fol edhe për mundësinë e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Kancelarja gjermane kishte biseduar edhe më parë në formë virutale me Kurtinnë cilësinë e këtij si kryeministër i qeverisë së parë të tij.
Kancelarja gjermane pati sot një bisedë virtuale edhe me kryeministrin slloven Janez Jansa, ku njëra nga temat ishte edhe integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE. Sllovenia, e cila në gjashtëmujorin e dytë të këtij viti do të marrë në dorë kryesinë e radhës së BE-së, planfikon të organizojë një samit të Ballkanit Perëndimor.