Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha të hënën se duhet çuar përpara procesin e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, ndërsa theksoi se nuk ka pasur synim për veçimin e tyre në këtë proces.
Zoti Borrell i bëri këto komente pas takimit mese 7 orësh të ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian të cilët diskutuan mes çështjesh tjera, situatën në Ballkanin Perëndimor.
Ai tha se ministrat u pajtuan se Ballkani Perëndimor është rajon me rol thelbësor gjeo-strategjik për Bashkimin Evropian dhe ritheksuan ardhmërinë evropiane të gjithë rajonit.
“Po kjo nuk ka të bëjë vetë më procesin e zgjerimit, por duam të sigurohemi se jemi politikisht të angazhuar me partnerët tanë që nga trajtimi i pandemisë së COVID-19, vaksinimin, bashkëpunimin ekonomik, trajtimin e ndikimeve të jashtme, mbrojtjen nga dezinformimin etj”, tha ai duke nënvizuar se pati një pajtim të gjerë për nevojën e Ballkanit Perëndimor që të forcojë reformat evropiane.
“Duhet te çojmë përpara procesin e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, dhe meqë jemi këtu, asnjëherë nuk ka pasur synim për veçimin e tyre në këtë proces”, tha ai.
Javën e kaluar, komisionari për zgjerim, Oliver Varhelyi, la të hapur mundësinë që Shqipëria të veçohet nga Maqedonia e Veriut, apo që e para të nisë negociatat për anëtarësim.
Bashkimi Evropian dha dritën jeshile më shumë se një vit më parë, por kundërshtimi i Bulgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut, e pamundësoi hapjen e tyre.
Bullgaria citon mosmarrëveshjet mbi historinë dhe gjuhën. Ajo kërkon garanci se Maqedonia e Veriut nuk do të mbështesë asnjë pretendim ndaj një pakice maqedonase në Bullgari. Po ashtu kërkon që dokumentet zyrtare të BE-së të shmangin përmendjen e “gjuhës maqedonase”, që thotë se rrjedh nga bullgarishtja.
Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe katër vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, Bosnja, Kosova, Mali i Zi dhe Serbia aspirojnë anëtarësimin në BE.
Të gjitha këto ndodhen në shkallë të ndryshme të procesit. Mali i Zi dhe Serbia kanë hapur negociatat dhe zoti Borrell tha se procesi i integrimit të tyre “duhet të përparojë”.
Çështjet e zgjerimit të BE-së pritet të diskutohen të martën nga vednet e bllokut.
Ai tha se gjatë diskutimeve të sotme është kërkuar nga ministrat e Jashtëm përparim “për liberalizimin e vizave për Kosovën”, që është vendi i vetëm në Evropën Juglindore që ndodhet jashtë regjimit të udhëtimit pa viza.
“Po ashtu pati edhe pritje të qarta për rifillimin e shpejtë të bisedimeve Beograd – Prishtinë, që siç e dini, do të rifillojnë para fundit të muajit qershor, siç jemi pajtuar me kryeministrin e Kosovës së fundmi”, tha zoti Borrell.
Një përpjekje e BE-së për të organizuar një takim mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç me 11 maj, dështoi meqë Kosova nuk e kishte konfirmuar takimin dhe siç tha zoti Borrell, “qeveria e Kosovës tha se ka nevojë të përgatitet, meqë qeveria e kaluar nuk i ka informuar për situatën në bisedimet e mëhershme”.
Ai pret që të takojë javën e ardhshme udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor në një darkë punë në Bruksel.
Zoti Borrell tha se gjatë takimit të sotëm u ritheksua mbështetja e fuqishme për tërësinë tokësore dhe sovranitetin e Bosnjës dhe Hercegovinës, në dritën e dokumenteve jozyrtare të publikuara kohët e fundit për ndryshimin e kufijve në Ballkan.