Ata që i përcjellin me vëmendje zhvillimet politike, e në veçanti ngritjet në karrierë të figurave politike të pasluftës, e përbashkëta e tyre është patriotizmi i shfrenuar si opozitar dhe mjerimi i tyre si pushtetarë. Nëse e zbërthejmë këtë në emra të përveqëm, atëherë do t’i bindemi përkufizimit të sipërcekur.
Albini sikurse Hashimi
Nëse e marrim dhe e analizojmë veprimtarinë politike të Hashim Thaçit si opozitarë, kemi të bëjmë me një politikan të guximshëm, i cili kundërshtonte ashpër politikën e moderuar të ish presidentit Ibrahim Rugova, e kundërshtonte politikën e tij paqësore, ruajtjen dhe forcimin e lidhjeve që ai mbante me aleatët perëndimorë.
Me ardhjen e tij në pushtet pas zgjedhjeve të vitit 2007, fillon epoka e qeverisjes dhe e ndryshimit epokal të Hashim Thaçit, apo më mirë të themi, e moderimit të tij nga një politikan me qëndrime të ngurta në një politikan elastik, qëndrimet e të cilit ndryshonin çdo ditë, madje qoftë nevoja edhe tre herë në ditë!
Kësisoji Hashim Thaçi nga një politikan që kundërshtonte çdo lloj dialogu me Serbinë, y kthye në protagonistin kryesor të atij dialogu, për pasojat e të cilit nuk do të ndalem në këtë shkrim analitik.
Po t’i kthehemi ngritjes politike të Albin Kurtit, nga një opozitar i rebeluar kundër pushtetit vendor dhe ndërkombëtar në Kosovës, dalëngadalë po kthehet në një politikan të moderuar dhe të dëgjueshëm ndaj ndërkombëtarëve.
Edhe Albin Kurti erdhi në pushtet me kauza të fuqishme për reciprocitet dhe kundër dialogut pa kushte me Serbinë, por dalëngadalë po e harron reciprocitetin dhe kushtet ndaj Serbisë!
Edhe Albin Kurti, njëjtë sikurse pararëndësi i tij Hashim Thaçi, shkoi si “skifter” në Bruksel, por u kthye si “pulë” në Kosovë! Shkoi në Bruksel me dialogun si prioritet të gjashtë, u kthye me prioritet të parë!
Kthimi i gjuhës së urrejtjes në Kuvend
Për fatin e keq, hallakama dhe përplasjet fizike, gjuha e ashpër dhe ofendimet po vazhdojnë edhe në legjislaturën e 9-të të Kuvendit të Kosovës!
Edhe pse nuk po ndodhë sinkronizimi i veprimeve të mençura të opozitës, po ndodhin veprimet e shëmtuara të përplasjeve verbale dhe fizike mes deputetëve në Kuvendin e Republikës së Kosovës, po mungon vetëm gazi lotësjellës dhe maskat luftarake!
Rruga e gabuar të cilën e ka zgjedhur opozita e ndarë në Kuvend më shumë e ndihmon sesa e rrezikon ‘Qeverinë Kurti 2″.
Me një opozitë të ç’akorduar në Kuvend, Albin Kurti do ta ketë të lehtë qeverisë, jo katër, por edhe 20 vjet derisa të konsumohet në terësinë e tij!
Ashpërsimi i gjuhës në kuvend nuk e forcon, përkundrazi e dëmton opozitën!
Vetëm një opozitë e organizuar mirë, unike, e matur dhe e përgjegjshme në veprime mund ta sfidojë qeverinë e numrave në Kuvend.
Veprimet vandaliste dhe huliganizmi jashtë kuvendit janë praktika të këqija, jo demokratike dhe të paligjshme të cilat nuk i duhen shtetit në formim e sipër siq është Republika e Kosovës.
Shpërblimi i anarkistëve dhe huliganëve me votë në zgjedhjet e fundit, sikur i ka motivuar vegëzat e tyre në opozitë, të cilët duke i imituar ish bashkëpartiakët, opozitarët e deridjeshëm (pushtetarët e sotëm), në të njëjtën mënyrë dhe formë po shpresojnë të ngriten në karrierë politike duke i dëmtuar pronat dhe objektet e institucioneve të larta të shtetit!
Saqë më nuk po dihet më, a është “VV”-ja e vogël kundër VV-së së madhe apo “Kurti” i vogël kundër Kurtit të madh!?
Dëmtimi i pronës shtetërore, publike apo private për kauza politike është vepër kriminale e cila duhet të dënohet me ligjet në fuqi. Vandalistët që dëmtojnë pronat dhe objektet, përveq dënimit me burg efektiv, duhet të paguajnë nga xhepi i tyre dhe dëmin e shkaktuar.
Aty ku nuk depërton ligji, sundon anarkia!
08.05.2021