Ballina Ravijëzime Rrjeti Facebook, fuqia e teknologjisë dhe fjala e lirë

Rrjeti Facebook, fuqia e teknologjisë dhe fjala e lirë

 

Vendimi i fundit në lidhje me rrjetin Facebook dhe ish-Presidentin Donald Trump u dërgon një sinjal udhëheqësve botërorë se për të përdorur mediat sociale, ata duhet t’u përmbahen disa rregullave që janë ende në formim e sipër. Vendimi ka sjellë përsëri në qendër të vëmendjes fuqinë e teknologjisë mbi fjalën e lirë në internet.

Për udhëheqësit botërorë dhe personalitetet e tjera që përdorin Facebook-un dhe mediat sociale, vendimi i marrë së fundi nga Bordi thuajse i pavarur i Mbikëqyrjes së Facebook-ut për ish-Presidentin Donald Trump besohet se ishte një mesazh.

“Të njëjtat rregulla që vlejnë për të gjithë përdoruesit e Facebook-ut duhet të zbatohen edhe për përdoruesit me ndikim, të cilët nuk duhet të gjykohen si njerëz që u nënshtrohen rregullave të veçanta,” tha zëdhënësi i Bordit, Dex Hunter-Torricke.

Por vendimi ngre pyetje të tjera se cilat janë saktësisht këto rregulla dhe se çfarë nënkupton kjo për udhëheqësit botërorë që dëshirojnë të japin mesazhin e tyre. Vendimi sjell përsëri në qendër të vëmendjes fuqinë e teknologjisë mbi fjalën e lirë në internet.

Këtë javë, bordi, i përbërë nga gazetarë, aktivistë dhe avokatë, tha se gjiganti i rrjeteve sociale mori vendimin e duhur kur pezulloi ish-Presidentin Trump pas sulmit ndaj Kapitolit në muajin janar, por gaboi duke e bërë këtë pezullim për një kohë të papërcaktuar. Bordi i dha Facebook-ut gjashtë muaj për të marrë një vendim përfundimtar rreth llogarisë së zotit Trump.

Kompania Facebook tha se do t’i shqyrtojë me kujdes rekomandimet e Bordit.

“Facebook-u ia kishte lënë vendimin Bordit Mbikëqyrës … por tani Bordi po i thotë Facebook-ut: ‘Jo, kjo ju takon juve. Ju duhet të sqaroni politikat tuaja dhe pastaj të vendosni nëse ky njeri i plotëson ato apo jo,’” thotë Emma Llansó e Qendrës për Demokraci dhe Teknologji.

Zonja Llansó thotë se Bordit iu desh të merrej me një problem kompleks siç është marrëdhënia midis fjalës së lirë dhe mbrojtjes së njerëzve.

“Në ligjin ndërkombëtar për të drejtat e njeriut, ekziston një mbrojtje e fortë për lirinë e shprehjes për të gjithë. Por aty pranohet gjithashtu se në botën reale disa lloje të fjalës në fakt mund të çojnë në dhunë,” tha ajo.

Reagimet ndaj vendimit kanë qenë të përziera. Disa ligjvënës konservatorë në SHBA e kritikuan Facebook-un, ndërsa të tjerë thanë se llogaria e zotit Trump duhej të ishte ndaluar në mënyrë të përhershme.

Ish-Presidenti Trump nuk foli për vendimin, por kritikoi të mërkurën kompanitë e teknologjisë në faqen e tij të re.

Një gjë që duhet të ndryshojë, tha Bordi, është të bëhen përjashtime për udhëheqësit botërorë, postimet e të cilëve, pavarësisht sa të pasakta ose të diskutueshme mund të jenë, vlerësohen se kanë vlerën e lajmit, për shkak të pozitës së tyre politike.

“Sa i përket idesë së lejimit sepse përbën lajm, se diçka mund të justifikohet për t’u thënë në Facebook pasi përbën lajm, ajo që ne themi është se nëse përpiqemi të vendosim një balancë, kjo duhet të anojë nga mbrojtja e njerëzve,” tha zëdhënësi Dex Hunter-Torricke.

“Shumica dërrmuese e politikanëve në botë nuk kanë nevojë për këto përjashtime sepse ata nuk përpiqen të minojnë demokracinë, nuk përpiqen të demonizojnë komunitete të tëra,” thotë Wendy Via, Presidente e Projektit Global Kundër Urrejtjes dhe Ekstremizmit.

Zonja Via thotë se vendimi i bordit është një hap më pranë krijimit të rregullave më të forta, që janë me rëndësi sidomos kur Facebook-u operon në vende me demokraci të brishtë.

“Ata duhet t’i shikojnë me kujdes këto rekomandime sepse shoqëria civile dhe vetë organizata jonë kemi thënë saktësisht të njëjtën gjë prej kaq kohe, por nuk jemi përfillur dhe rezultati ka qenë humbje jetësh ose dëmtimi i demokracive,” tha ajo.

Tani që topi është përsëri në fushën e Facebook-ut, udhëheqësit politikë, njerëzit me ndikim dhe 2.8 miliardë përdoruesit e tij në të gjithë botën do të duhet të presin për të parë nëse ky rrjet social do të bëjë ndryshime.