Kancelarja gjermane Angela Merkel theksoi të mërkurën rëndësinë e marrëdhënies transatlantike, duke thënë se Shtetet e Bashkuara do të jenë gjithmonë partneri më i rëndësishëm i Evropës.
Duke folur gjatë një konference dixhitale për marrëdhëniet me jashtë, sponsorizuar nga koalicioni i saj parlamentar, zonja Merkel tha se bashkëpunimi transatlantik “po funksionon sërish, nëse doni ta shprehni kështu”, duke iu referuar zgjedhjes së Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden. Zonja Merkel pohoi se marrëdhëniet me administratën e ish-Presidentit Trump nuk ishin aq të mira sa mund të kishin qenë.
Marrëdhëniet midis Kancelares Merkel dhe Presidentit Donald Trump ishin tensionuar për çështje të tilla si Rusia dhe fondet për NATO-n.
Ajo shtoi se rikthimi i funksionalitetit të marrëdhënies nuk do të thoshte domosdoshmërisht se gjërat po zhvillohen si më parë, pasi shumë gjëra kanë ndryshuar në vitet e fundit. Por zonja Merkel tha se u bë e qartë për të gjatë viteve “të vështira” se “ne mund të gjejmë përgjigje për detyrat e përbashkëta dhe pikëpyetjet e së ardhmes vetëm nëpërmjet një bashkëpunimi më të ngushtë”.
Kancelarja Merkel tha se ndërsa Gjermania nuk kishte interes për një botë të ndarë në kampe siç ishte gjatë Luftës së Ftohtë, do të ishte mirë që Shtetet e Bashkuara, “aleati më i rëndësishëm i Evropës”, të qëndronin përkrah kontinentit në rivalitetet me Kinën dhe Rusinë.
Kancelarja gjithashtu tha se çështjet globale, si tregtia dhe ndryshimi i klimës, nuk mund të zgjidhen pa marrëdhënie të mira edhe me Kinën.
Kancelarja Merkel tha se ajo gjithashtu mbështeste një marrëveshje dypalëshe tregtare mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara. “Ne kemi marrëveshje tregtare me kaq shumë rajone të botës,” tha ajo. “Do të kishte shumë kuptim të zhvillonim një marrëveshje të tillë tregtare, të ngjashme me atë që kemi bërë me Kanadanë.”
Pas 13 vitesh në detyrë, zonja Merkel ka njoftuar se nuk do të kërkojë rizgjedhjen në zgjedhjet e përgjithshme që zhvillohen më vonë këtë vit.