Drejtoresha Ekzekutive e UNFPA, Natalia Kanem, me rastin e 5 majit – Ditës Ndërkombëtare të Mamive, ka folur rreth rolit që kanë mamitë për shpëtimin e jetës së grave dhe foshnjave dhe promovimin e shëndetit dhe mirëqenies së komuniteteve të tëra në të gjithë botën.

Ajo ka përkujtuar se mamitë meritojnë investime më të mëdha në aftësitë e tyre dhe vende të punës që i fuqizojnë ato dhe i njohin plotësisht aftësitë dhe kontributet e tyre.

“Arritjet e tilla varen nëse mamitë marrin arsim dhe trajnim më të mirë, së bashku me rregullimin gjithëpërfshirës dhe mbështetës të vendit të punës. Ato duhet të kenë një rol më të madh në udhëheqjen profesionale dhe qeverisjen, dhe të shfrytëzohet përvoja e tyre unike për të nxitur avancime në politikat shëndetësore dhe ofrimin e shërbimeve”, ka thënë Kanem.

Edicioni i fundit i raportit të Gjendjes së Mamive të Botës i lansuar sot nga UNFPA, Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Konfederata Ndërkombëtare e Mamive tregon se rritja e numrit të mamive do të ndikonte të kurseheshin rreth 4.3 milionë jetë në vit deri në vitin 2035.

Mbulimi universal i ndërhyrjeve nga mamitë deri në vitin 2035 do të shmangte 67 për qind të vdekjeve të nënave, thuhet në raport.

“Një përkushtim i tillë është një burim i paçmuar, megjithatë shumë sisteme shëndetësore varen prej tij pa përkrahje proporcionale të mamisë si profesion. Kjo do t’i pengojë ambiciet për të arritur qëllimin e zero vdekjeve të parandalueshme të nënave deri në 2030”, ka thënë ndër tjera Kanem, duke shtuar se investimi dhe fuqizimi i mamive është një nga mënyrat më të sigurta për të mbrojtur jetën, shëndetin dhe mirëqenien e të gjithëve.