Përpjekjet e Indisë për të nisur regjistrimin e 1.4 miliardë banorëve të vendit për vaksinim kundër COVID-19-s, hasën në pengesa të mërkurën ndërsa vendi po përballet me një valë të dytë tejet problematike të sëmundjes. Qeveria ka hapur një faqe në internet ku mund të regjistrohen për t’u vaksinuar të gjithë indianët 18 vjeç e lart. Vaksinimet pritet të fillojnë të shtunën. Megjithatë shumë njerëz vërshuan në rrjetet sociale duke u ankuar se ose faqja në internet kishte dalë jashtë funksionit ose nuk kishin qenë në gjendje të caktonin një takim.
Problemet me faqen në internet vijnë ndërsa ministria e Shëndetësisë raportoi të enjten 379,257 raste të reja me COVID-19 si dhe 3,645 viktima, duke shënuar një tjetër rekord njëditor për sa i takon numrit të vdekjeve. Sipas universitetit Johns Hopkins shifrat e reja e kanë rritur numrin e rasteve me koronavirus në Indi në 18.3 milionë si dhe atë të vdekjeve në mbi 204 mijë që nga fillimi i pandemisë.
Vala e dytë e koronavirusit ka çuar sistemin e kujdesit shëndetësor të vendit në prag të kolapsit, me spitale të tejmbushura e një mungesë serioze të oksigjenit, duke përkeqësuar një situatë tashmë të dëshpëruar. Shumë parqe e parkingje janë shndërruar në krematorë të improvizuar që punojnë pa pushim për të djegur trupa njerëzish. Ekspertët e shëndetit publik kanë fajësuar mbi situatën përhapjen e varianteve më ngjitëse të virusit si dhe lehtësimin e kufizimeve për grumbullimet në turma të mëdha. Por pavarësisht nga kriza e përkeqësuar, më shumë se 8 milionë banorë në shtetin e Bengalit Perëndimor pritet të paraqiten të enjten në qendrat e votimit, për fazën e tetë dhe të fundit të zgjedhjeve shtetërore.
Në Indi vetëm 1.7% të popullsisë është vaksinuar plotësisht dhe ritmet e imunizimit kanë ecur ngadaltë që prej fillimit të tyre në janar. Vendi ka një mungesë vaksinash ndërsa po përballet gjithashtu me mungesën e lëndëve të para të nevojshme për prodhimin e tyre. Komuniteti ndërkombëtar është përgjigjur duke dërguar furnizime kritike në Indi, përfshirë respiratorë apo pajisje të tjera oksigjeni, ilaçe për trajtimin e sëmundjes si dhe lëndët e para të nevojshme për prodhimin e vaksinave.
Shtëpia e Bardhë thotë se një dërgesë e parë me furnizimeve mjekësore me vlerë 100 milionë dollarë do të mbërrijë në Indi të enjten. Bëhej fjalë për 1000 bombola oksigjeni, 15 milionë maska (N95) dhe 1 milion teste të shpejta diagnostikuese, së bashku me lëndët e para që do t’i mundësojë Indisë të prodhojë 20 milionë doza të vaksinës AstraZeneca.
Departamenti amerikan i Shtetit këshilloi të mërkurën amerikanët të mos udhëtojnë drejt Indisë, vendi më i fundit që vendos një paralajmërim ose ndalim të plotë për të vizituar vendin.