Ballina Aktualitet Nuk lejohet importimi në Brazil i “Sputnik V”

Nuk lejohet importimi në Brazil i “Sputnik V”

 

Autoritetet e sektorit të shëndetësisë në Brazil nuk lejojnë sjelljen në vend të vaksinës „Sputnik V“, megjithëse 14 shtete federale braziliane kanë nënshkruar kontrata me prodhuesin rus të kësaj vaksine Corone.

Enti kombëtar brazilian për kontrollin e shëndetit, (ANVISA) ka marrë vendim kundër pranimit në vend të vaksinës ruse të Coronës, “Sputnik V”. Në argumentimin e vendimit thuhet, se mungojnë “të dhëna konsistente dhe të besueshme”. Vendimi është marrë në unanimitet. „Ne nuk do të lejojmë që miliona brazilianë të përdorin një produkt, i cili nuk i është kontrolluar si duhet cilësia, siguria dhe efekti,” tha presidenti i  ANVISA-s, Antonio Barra Torres.

Kurse drejtori i Entit, Machado Campos, theksoi se vendimi vlen vetëm për këto momente. Sipas njoftimit, janë vënë re parregullësi si gjatë zhvillimit ashtu edhe gjatë prodhimit të vaksinës vektoriale. Ato përfshijnë të tri fazat e testimit klinik.

Vaksinat viktoriale janë një lloj vaksine e re, që bën pjesë në grupin e vaksinave gjenetike dhe ndryshojnë nga vaksinat klasike. Vaksinat gjenetike nuk hedhin në trup një antigjen të caktuar, por hedhin materialin gjenetik dhe në bazë të tij trupi e krijon vetë antigjenin, për shembull prodhon vetë proteinën e mikrobit, i cili nxit reagimin e sistemit imunitar. Në këtë mënyrë, një pjesë e procesit të prodhimit të vaksinës, që duhet të kryhet në laborator, bëhet në vetë trupin e njeriut.

Porosi për mbi 30 milionë doza

Duke pasur parasysh gjendjen dramatike të krijuar nga Corona, 14 shtete federale të vendit më të madh latinoamerikan, patën porositur importin e “Sputnik V” duke nënshkruar edhe kontratat për blerjen e 30 milionë dozave. Qeveria qendrore bëri porosi për dhjetë milionë doza të tjera.

Brazili është i goditur fort nga pandemia -pamje nga varrezat e viktimave të Coronës në afërsi të Manaus

Pala ruse e kritikoi ashpër vendimin. „Shtyrja e dhënies së lejes nga ANVISA për „Sputnik V”ka karakter politik dhe nuk ka të bëjnë me aksesin tek informacionet apo shkenca,” bëri të ditur prodhuesi i vaksinës. Ai fajësoi qeverinë amerikane, e cila duhet të ketë bindur Brazilin që të mos përdorë vaksinën. Kremlini nuk donte të fliste për përmbajtjen e rastit në fjalë. Për ta bërë këtë mungojnë informacionet, tha një zëdhënës i presidentit Vladimir Putin.

Rusia e lejoi „Sputnik V” të futej në treg në muajin gusht vitin e kaluar, pa përfunduar ende studimet e zakonshme shkencore. Kjo shkaktoi refuzim të rretheve shkencore në gjithë botën. Ndërkohë, të paktën 60 vende kanë aprovuar përdorimin e vaksinës. Së fundmi ishte India që lejoi marrjen e saj për arsye emergjente. Në kuadrin e të ashtuquajturës Rolling Reviews, Enti Europian i Licensimit të Medikamenteve, EMA, filloi në muajin mars një proces testimi. Gjatë këtij procesi kontrollohen rezultatet e testimeve, megjithëse nuk janë ende të pranishme të gjitha të dhënat dhe nuk është bërë ende kërkesë për marrjen e lejes.

Me 210 milionë banorët që ka, Brazili është kthyer në një nga pikat e nxehta të pandemisë. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, 390 mijë pacientë kanë humbur jetën në Brazil nga Virus SARS-CoV-2. Në krahasim me vendet e tjera të botës, Brazili ndodhet në vend të dytë, pas SHBA për numrin e madh të rasteve. Deri tani 27 milionë brazilianë kanë marrë dozën e vaksinës, gati 12 milionë kanë marrë edhe gjilpërën e dytë të vaksinës AstraZeneca dhe Sinovac. Edhe vaksinat e BioNTech/Pfizer dhe Johnson & Johnson kanë marrë lejen e përdorimit. Por ato nuk kanë shkuar ende në Brazil.