Zgjedhjet në Shqipëri, BE: Palët të respektojnë rezultatin

 

Bashkimi Evropian i kërkoi sot forcave politike shqiptare që të respektojnë rezultatin e zgjedhjeve të së dielës për parlamentin e ri të vendit Në një deklaratë të përbashkët, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikën e jashtme dhe sigurinë Josep Borrell dhe Komisionerit për Zgjerimin Oliver Varhelyi, theksuan se “të gjitha forcat politike tani duhet të sigurojnë funksionimin efektiv dhe demokratik të institucioneve të vendit, si rezultat i këtyre zgjedhjeve. Kjo përfshin përgjegjësinë për të ndjekur parimin demokratik të respektimit të rezultatit të zgjedhjeve. Çdo parregullsi e pretenduar duhet të sillet me vëmendje të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe autoriteteve të tjera kompetente, dhe rastet duhet të hetohen siç duhet, përfshirë blerjen e votës”.

Duke ju referuar gjetjeve dhe përfundimeve paraprake të Misionit të vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it, dy përfaqësuesit e BE-së vënë në dukje se “zgjedhjet parlamentare ishin përgjithësisht të organizuara mirë nga administrata zgjedhore, ndërsa fushata ishte e gjallë dhe gjithëpërfshirëse. Palët e interesit kishin besim të mjaftueshëm për të marrë pjesë dhe një Komision Qendror i Zgjedhjeve i reformuar (KQZ) mbikëqyri procesin zgjedhor në një mënyrë transparente, duke patur besimin e palëve të interesit në të gjitha nivelet”. Deklarata vëren se “vëzhguesit raportojnë shqetësime në lidhje me keqpërdorimin e burimeve ose funksioneve shtetërore nga partia në pushtet dhe figura të tjera publike”, ndërsa shton më tej se “ne inkurajojmë të gjitha palët e përfshira në numërim të procedojnë me shpejtësi dhe në përputhje me procedurat e vendosura”.

Në deklaratën e përbashkët theksohet gjithashtu se vendi nuk duhet të frenojë procesin e reformave që i nevojiten për të përparuar në procesin e integrimit. “Shqipëria ka bërë një rrugë të gjatë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian, duke treguar këmbëngulje në ndjekjen e reformave të vështira në interes të popullit shqiptar. Periudha e tranzicionit deri në konstituimin e parlamentit dhe qeverisë së re nuk duhet të stepë përpjekjet e vazhdueshme për të zbatuar reformat e nevojshme. Ne do të dëshironim që vendi të hynte në fazën tjetër të procesit të pranimit, me Konferencën e parë Ndërqeveritare për fillimin e negociatave të zhvilloheshin sa më shpejt të ishte e mundur”, theksojnë përfaqësuesit e BE-së, ndërsa vënë në dukje se presin që “parlamenti dhe qeveria e re shqiptare të vazhdojë ndjekjen e axhendës së reformave të vendit me vendosmëri, veçanërisht në lidhje me sundimin e Ligjit. Ne përsërisim thirrjen tonë për një dialog politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës nga të gjitha palët”, përfundon deklarata.

Një ditë më parë dhe Departamenti amerikan i Shtetit, i tha Zërit të Amerikës se “Shtetet e Bashkuara presin nga kandidatët dhe udhëheqësit (e Shqipërisë) që të pranojnë vendimin e votuesve”.