Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve lehtësuan të martën disa nga udhëzimet që lidhen me mbajtjen e maskave përjashta. Zyrtarët thanë se për amerikanët plotësisht të vaksinuar nuk do të jetë më e nevojshme të mbulojnë fytyrën, nëse nuk ndodhen pranë një turme të madhe njerëzish me të cilët nuk njihen. Po sipas CDC-së edhe ata që nuk janë të vaksinuar mund të dalin jashtë pa maska në disa raste.

Udhëzimet e reja përfaqësojnë një hap tjetër të peshuar me kujdes në rrugën drejt normalitetit pas një situate që u ka marrë jetën mbi 570,000 njerëzve në SHBA.

Për pjesën më të madhe të vitit të kaluar, CDC-ja i kishte këshilluar amerikanët që t’i mbanin maskat përjashta nëse ndodheshin më pak se 6 metra larg njëri-tjetrit.

Ndryshimi njoftohet ndërsa më shumë se gjysma e amerikanëve në moshë të rritur kanë bërë të paktën një dozë të vaksinës së koronavirusit dhe më shumë se një e treta e tyre janë vaksinuar plotësisht.

“Është rikthimi i lirisë”, thotë Dr. Mike Saag, ekspert i sëmundjeve infektive në Universitetin e Alabamës në Birmingham, i cili e mirëpriti ndryshimin. “Kjo do të thotë se do të jemi në gjendje të bëjmë sërisht aktivitete normale. Nuk jemi ende aty, por po afrohemi. Dhe kjo është një gjë e bukur”.

Megjithatë ende është e nevojshme që një numër më i madh njerëzish të vaksinohen. Shqetësimet në lidhje me variantet e reja të virusit si dhe për një kthesë tjetër të mundshme në epidemi nuk janë zhdukur. Por zoti Saag tha se udhëzimi i ri është një shpërblim i arsyeshëm duke parë zhvillimet e fundit, shpërndarjen e vaksinave efektive dhe faktin se rreth 140 milionë amerikanë janë paraqitur për t’u vaksinuar.

CDC-ja, e cila ka qenë e kujdesshme në udhëzimet e saj gjatë krizës së koronavirusit, në thelb miratoi atë që shumë amerikanë po bëjnë tashmë prej disa javësh.

CDC-ja thotë se të vaksinuar ose jo plotësisht, njerëzit nuk kanë arsye të mbajnë maska jashtë kur ecin, kur ngasin biçikletën ose apo kur vrapojnë vetëm ose me anëtarët e familjes. Ata gjithashtu mund të dalin pa maska në natyrë kur grumbullohen me të tjerë në grupe të vogla me njerëz plotësisht të vaksinuar.