Pergatiti Fritz RADOVANI
Pra, njiherë e pikë ma s’parit
Po i diftoj rodit t’Shqiptarit
Se un ktu s’kndoj burrnin’e t’Parit,
As trimnit e ndo’i luftarit,
Veç nji gaç, nji zog gomarit,
Qi, qyqari, për send tjetër
-N’dashtë i ri t’jet, n’dashtë i vjetër-
S’duhet gja, veç se me bártë
E me ngrânë, t’thuesh, si Shqiptarët….
M’thotë, por, mêndja se ndokujë
Ka m’iu dukë se un mifi nd’ujë
Me ketë kangë, e se mâ gjásë
Sod për mue do t’kishte pásë
Ndo’i send tjetër po t’kish’ zgjedhë
Tortë me vjerrsha ktu me drêdhë.
Po, por shka, se ata e dijnë vetë
Qi ka cofë mikrobi i shkretë
I burrnis’ e i trimnis,
E qi sod në Shqiptarí
Besa ka nji t’madhe zí
Jo aq për bukë e miredi
Sa për burra-burra t’dheut,
Qi për komb e nderë t’Atdheut
Me jetue t’dijnë e me dekë.
Jo, por asht kot, besa, me u rrékë
Se po gjen fatos ndër né,
Se po gjen burra n’ketë dhé –
Burra fjalet e atdhetarë:
Kta veç, Zot! Kjoshin për farë;
Se, per tjetër, mbyti n’ujë:
Gja-ha’ i keq – s’i duhen kujë.
E vërtetë qi njadisa
Ndër né flasin fjalë të mdha,
E na mbahen se ata kjenë
Qi shpëtue na kânë Atdhenë:
Sado qi, kur ishte puna
Me u shpëtue Shqipni kërcûna
E, për té n’luftë me qindrue,
Ata rrijshin tue guksue
N’për Stambollë e np’r Anadoll,
A se villshin kund n’ndo’i stjoll
T’ndo’i hoteli npër Evropë
Alkool’n, me t’cillin ngopë
E ki’n barkun si bagtija,
Der sa n’gjak lahej Shqipnija….
***
Ké janë dhanë mbas rrogash arit.
Prandej thashë un se për s’mârit
Do t’ tingllojë për veshë t’Shqiptarit
Nji poem mbi’i zog gomarit.
Edhe kshtu, si fola s’parit,
Vetë me vedi kam mendue,
Mbasi ngeshëm paçë qillúe-
Mbi ‘i gomar nji kangë me shkrue,
Herë tue qeshë, herë tue vajtue,
“Simbas” rregllave t’Poezisë,
E nevojve t’Shqiptarisë.
Eja, Zanë, pra, prej Parnasit,
E kaluer ti m’shpinë t’Pegasit,
Mêndes s’eme shkundja blozën,
E m’ difto metamorfozën
E njatij gomarit t’ri ,
Qi njâ’i vlershmi zotëni
Babatasi bleu sivjet
Në Tiranë, n’atë kryeqytet,
Ku Ministra e Deputetën
-Ktyne Zoti jau rritët jetën!-
-Qesin xhixha atdhédashtnije
Për lulzim të ksaj Shqipnije
E për …kambë t’ndo’i sandalije,
Sado qi, mâ e shumta sish,
-Si thanë m’ka mue nji dervish-
Der dje kjenë… nuk dij se shka….
Kush n’ “kapicë” kush në “qylah”,
Por qi sod, npër rroga arit,
Na janë bâ t’gjith frotë Shqiptarit,
Edhe pshtetun mbi kolltukë,
Kalamuq e si terrçukë,
Fâ mirë barkun me “mastikë”,
Pa logjikë – pa gramatikë,
Na pshtyjnë dije e politikë,
E, me “gisht” ngordhun përpjetë
I pijnë gjakun Kombit t’shkretë
Jo me hingzë, por me sahâna.
Veç se shka, mori lum Zâna,
Kah të dirgjesh m’shpinë t’Pegasit,
Xiere ‘i vishkull n’pyllë t’Parnasit –
Vishkull t’hollë e t’gjatë zarânet,
Pse ksaj herë, besa, po m’kândet
Me ja hjekun qafës dikuj,
Për m’e bâ qi zâ’n t’a shuej,
Se t’jet’ gjallë. Due t’a marrë vesht,
Se me buej s’kapet nji plesht.
***
Se, për Zotin – kjoftë lëvdue! –
Me shka vetë po jam tue pá,
Gjâ Shqipnia n’dorë nuk ká
E, as përpara kjo s’do t’vetè,
***
Q’se Ministrat ndajnë dekrete,
Pa peshue nji herë ma s’parì
Se ç’zotsi mund t’ketë zyrtari,
E q’se fati i Atdheut të shkretë
Mûjtka aj sod edhe me mbetë
N’dorë t’do njerzve, për t’cillt vetë
E as kurrkush, kujtoj, s’di gjâ
Se ç’shirok a se ç’murrâ
Na i ka hjedhë e prû n’ketë dhé
E po kush di gjâ ndër né
Për nji palë, qi ktu n’Shqipni
Po rruejn petlla e “kabuni”,
E rrmejn rroga n’ar flori,
Kush di gjâ, po tham, zotni,
Se ku i kanë gjak e gjini,
Se ku i kanë kta plâng e shpi,
Stane, pleme, vathë e gji?
Pasaportat kush ua pau,
Për me thânë se kta s’janë Slav.
Nuk janë Slav, Turq, as Bulgarë,
Por janë fjesht burra Shqiptarë?…
Shka punuen kta për Atdhé?…
Librat shqip qi kanë botue?…
Edhe ndihmët qi kanë kushtue
Për triumf të liris s’onë?
Për posë emnit se si u thonë,
Kurrkush gjâ nuk di, për tà:
***
-Qeni t’zo’n mâ kush s’po e njeh –
Na janë ngrefë si gjelat m’pleh,
E pedanta e “Don Kishjote”,
Me nji hije krejt kokote,
Tuj u mbajtë për liberala,
Për modern e oksidentala.
-Sidomos n’kto kohët e mbrame –
Pjellin ligjë, vjellin programe,
Apin urdhna edhe dekreta,
Sjellin gjinden poshtë-përpjeta,
E n’ketë mnyrë çdo përparim
Kanë pengue, e mbrendë n’sundim
Njerz e punë kaq kanë pshtjellue,
Kaq përzie e kaq ngatrrue,
Porsi flokët e atij harapit,
Sa qi mbrendë në krye t’nji krapit
Ka mâ shum, thom, harmoni
E tendencë për qytetni,
Se n’shtet t’onë. – Eh, moj Shqipni!
Fort po drue se nji ditë ngusht
Ké me ra, e kryet në grusht
Ké m’e kapë, pa pasë pi musht,
Q’se do njerz, qi kush me i xanë
S’kisht’ për pêng as për dorzânë,
M’kurriz t’and po sjellin patën,
Edhe m’mjaltë po e mbajn sod spatën:
***
Me u përzie s’due n’gjak t’Atdhéut;
Pse edhe mjaft rodi i Shqiptarit
Sod me sod aj pare arit
Asht tue lá për shpirt t’gomarit.
***
Bini, Toskë, e bini, Gegë!
Shoqi-shojnë shkoni tue djegë!
Bini n’pshesh! Bini n’laknorë!
Trima, mbrendë! Me dorë! Me dorë!
Shenim nga FR: Janë marrë pjesë ma aktuale per sot pa asnjë ndryshim.
Melbourne, 24 Prill 2021.