Ministri i jashtëm gjerman, Heiko Maas, tha sot në Prishtinë se idetë e hedhura kohëve të fundit që çështjet sociale dhe politike në Ballkan mund të zgjidhen me vizatim të vijave në harta, janë jo vetëm jo realiste por edhe tejet të rrezikshme.
Shefi i diplomacisë gjermane, i bëri këto komente gjatë vizitës së tij në Kosovë, prej nga do të shkojë më pas në Serbi në një përpjekje për të nxitur palët që të rifillojnë procesin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.
Në një konferencë me gazetarë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ai hodhi poshtë idetë për prekjen e kufijve si zgjidhje për cështjet e hapura në Ballkanin Perëndimor.
“Ne i konsiderojmë të rrezikshme edhe diskutimet që bëhen rreth tyre prandaj jam i lumtur që përpjekja e fundit në këtë drejtim, pavarësisht se nga kush u hap, shpejt të mbyllet në sirtarë dhe shpresojmë që të jetë një dosje e së kaluarës”, tha ministri Maas.
Debatet rreth kufijve ringritën pas shkrimeve në mediet kroate e boshnjake për një dokument joformal me siç thuhet, propozimin për ndryshimin e kufijve ne Ballkan. Sipas tyre një dokument i tillë i hartuar nga kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha, në të propozohet ripërcaktimi i kufijve në Ballkanin Perëndimor si zgjidhje për problemet e hapura në rajon.
“Unë nuk e di nëse ka përpjekje të tilla. Fakti që gjithë kohën është folur për një ‘non-paper’ besoj se është edhe shprehja e duhur dhe duhet mbetur një ‘non paper’…”, tha ai, duke nënvizuar se idetë për prekje kufijsh “qeveria gjermane i refuzon në mënyrë të theksuar sepse një zgjidhje e tillë nuk do të çonte në atë që konfliktet të zgjidhen por të ashpërsohen. Prandaj ne e refuzojmë dhe gjatë debatit të fundit në Bashkimin Evropian është shprehur një mendim shumë i qartë se brenda BE-së askush nuk do të paramendonte që kjo mund të bëhet realitet”, tha ministri Maas i cili foli gjermanisht gjatë konferencës.
Pretendimi për një dokument joformal që rizgjon debatet për kufijtë në Ballkan
Në Bashkimin Evropian thanë disa herë se nuk kanë njohuri për një dokument të tillë, ndërsa kryeministri slloven, Janez Jansha, vendi i të cilit do të kryesojë Bashkimin Evropian në pjesën e dytë të këtij viti, shkroi se pretendimet për një dokument të tillë janë veprime që synojnë “të dëmtojnë Slloveninë në BE”.
Presidentja Osmani tha se çështja e dokumentit të pretenduar është diskutuar edhe me autoritetet e Sllovenisë.
“Përgjigja që kemi marr nga autoritetet sllovene është se një lajm i tillë nuk është i vërtetë. Megjithatë ne e kemi ritheksuar në atë moment dhe do ta ritheksoj sërish se idetë të tilla janë të rrezikshme jo vetëm për Republikën e Kosovës, janë të rrezikshme për gjithë rajonin por edhe përtej rajonit. Idetë e tilla i takojnë shekullit të XIX”, tha presidentja Osmani.
Ajo tha ndërkaq se bisedimet me Serbinë kanë nevojë për një rifreskim dhe se Kosova do të shtrojë në tryezë çështjet që janë në interes të qytetarëve të saj.
“Ky proces i dialogut ka nevojë një reset pra nuk është thjeshtë një vazhdimësi dhe të gjitha institucionet tona vëmendshëm do të shqyrtojnë secilën marrëveshje të arritur, secilin dokument të shqyrtuar deri më tani dhe do të zhvillojmë një dialog të bazuar në parime të qarta ku Republika e Kosovës në asnjë mënyrë nuk do të pranoj të hyjë në aventura të rrezikshme që kanë të bëjnë qoftë me ndryshim kufijsh”, tha ajo.
Ministri i jashtëm gjerman tha se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë të mbeten pengesë për zhvillimin e rajonit.
“Lidhur me këtë unë sot kam theksuar edhe njëherë mbështetjen tonë të pakursyer për bisedimeve për normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë të lehtësuara nga Bashkimi Evropian dhe kam dëgjuar edhe temat të cilat janë të rëndësishme për njerëzit në Kosovë, Këto do t’i marr me vete dhe do t’ia përcjellë përfaqësuesit të Bashkimit Evropian zotit Lajçak dhe do të flas në mënyrë intensive lidhur me këtë. Ai ka mbështetjen tonë për punën e tij sepse mendoj që BE-ja mund të jap një kontribut që këto çështje të zgjidhen”, tha zoti Mass.
Procesi i bisedimeve që shënoi një rifillim në korrik të vitit të kaluar, u pezullua sërish për shkak të zgjedhjeve në Kosovë. Muajin e ardhshëm, Bashkimi Evropian shpreson që të organizojë takimin e parë ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Këtyre përpjekjeve javën që vjen do t’i paraprijnë vizitat e ndara të të dy zyrtarëve të lartë në Bruksel.