1.
Kësokohe, këto ditë, në një dimension tjetër, lideri i ri demokrat, 46 vjeçari Lulzim Basha, disi ndryshe nga kryeministrat e derisotëm, me vokacion e vizione perëndimore euroatlantike, i ka afruar Elektoratit Shqiptar, gjithë Shqiptarëve, një Projekt të rëndësishëm kombëtar, veprën e tij elitare “Misioni Im”, si një Traktat për Shqipërinë, ndoshta një Manifest á Testament, i/e llojit “Letër e Hapur Shqiptarëve”, që përbën themelin e një Shqipërie moderne e prosperuese; iu tregon e dëshmon Shqiptarëve se si mund të jetë Shqipëria jonë në shërbimin e tij misionar, në mandatin e parë 4-vjeçar e ma shumë, me projektin e tij progresiv, plot shpresë, krejt ardhmëri.
Të dhjetë kapitujt e librit/veprës së tij përbëjnë një objekt jetik, i cili nuk është vetëm çështje e Lulzim Bashës, por e gjithë Shqiptarëve, në të gjithë nivelet dhe shtresat e tyre: të moshuarit, të rriturit, familjet, nanat, intelektualët, nxënësit, studentët, fëmijët, ekonomia, politika, sistemi i drejtimit, marrëdhënie e individit me shtetin dhe shteti si kujdestar i individit, e sotmja dhe e ardhmja. Pra, libri/vepra në vetvete ngërthen natyrshëm një vështrim për të ardhmen më shumë se sa refleksione për të shkuarën, pasi në formimin dhe në konceptin që politikani i ri Lulzim Basha ka për Politikën, reflekton qëllimi i mirë; kthimi i besimit të qytetarëve shqiptarë te Politika, sepse: “Politika e mirë i zgjidh problemet pa teatër, përmes vendimmarrjes së mençur, të përgjegjshme e largpamëse, si një mision që vetëm ajo mund ta kryejë”.
2.
Vendet e zhvilluara euro-atlantike, të cilat sot janë referenca të rëndësishme dhe për popujt e tjerë të Ballkanit Perëndimor, ndër ta dhe Shqipëria e Shqiptarët, shpjegojnë ma së miri besimin e lartë që Basha ka për/në politikën e mirë, politikën e ndritur, pasi ajo si e tillë shndërrohet në virtyt dhe jo ves, ajo është një mision dhe jo abuzim. Në këtë pikëpamje, lideri i djathtë i Shqiptarëve ka një refleksion të gjerësishëm për faktorët që e mundësojnë këtë në veprimtarinë e tij, e cila fillon që nga edukimi familjar, shkollimi deri universitar, komuniteti ku është rritur ndër dekada, shoqëria që e rrethon dhe atë që zgjedh ai në shkollimet dhe aktivitetin përditësor e perspektiv.
Ndër të tjera, Basha shkruan, se: ”Studimet e mia jashtë vendit më dhanë mundësinë të kisha përvojë në praktika të specializuara ligjore dhe në pozicione të rëndësishme në administratën ndërkombëtare të OKB-së.”, të cilat kanë reflektuar tek politikani i ri shqiptar i së djathtës së traditës dhe kësaj të re, një lidership të hapur, komunikues e bashkëpunues me njerëzit, shtresat sociale, institucionet dhe me botën. Një formim i tillë përbën ndoshta dhe njërin nga fondamentet ma të rëndësishme dhe ma efiçentë të Lulzim Bashës dhe e dëshmon atë si një politikan kalibri, i frymës së re bashkëkohore, i formatit të madh, i cili për Politikën ka një lloj definicioni, se: “Politika është shërbim ndaj njerëzve.”
Lulzim Basha, kandidati i Opozitës për kryeministër, do të ketë të veçantë, risinë e mirësinë, të jetë i pari kryeministër shqiptar, në historinë shqiptare, i shkolluar në Perëndim, krye studimet e larta Bachelor e Mastër Shkencor në Hollandë (Vendet e Ulëta) për Shkenca Juridike (jurist-E Drejta Europiane e Ndërkombëtare) në Utrecht University (UU) me një traditë 385 vjeçare, i cilësuar “një nga 100 universitetet ma të mira të botës” (ma i miri në Hollandë, i 13-ti në Europë, i 49-ti në Botë), universitet potencial me një buxhet 909 milionë Euro në vitin 2019 (sa 2/3 e buxhetit të Kosovës për vitin 2021). Si të thuash, Basha “është rritur në Perëndim”, sepse aty shkoi në ma të bukuren moshë, 20-vjeçar, në një universitet që ka nxjerrë 12 laurantë të Çmimit Nobel, ku ai, atje, merrej dhe me Projekte, bënte disa punë të pjesshme/përkohore (jashtë programit zyrtar të studimeve universitare); aktivizohej me Shoqërinë Civile, njihet në Hollandë me dr. Ibrahim Rugovën- Presidentin historik të Kosovës e të tjerë liderë shqiptarë e të huaj të shekullit të kaluar; ishte i dhanun me talent e veprimtarim pas muzikës, sportit, artit, shtypit e librave në shqip e gjuhë të huaja, etj.
Lulzim Basha pritet që të jetë kryeministri i ri i Shqipërisë dhe përveçon e rekordon të jetë i pari kryeministër shqiptar që ka punuar e kontribuar në Organizata Ndërkombëtare, në ma të madhen e ma të fuqishmen Organizatë të Botës, në OKB, në misionin e saj në Kosovë -UNMIK (Këshilltar Ligjor, ku ndihmoi dhe në krijimin e Minsitrisë së Drejtësisë në Kosovë) dhe Përgjegjës Operacional në Zyrën e Tribunalit Ndërkombëtar për Krimet e Luftës në Ish-Jugosllavi (pjesë e skuadrës që përgaditi Akt-Akuzën për Krime Lufte ndaj Sllobodan Millosheviçit).
3.
Lulzim Basha ka lindur, është rritur dhe edukuar në një familje me traditë historike të djathtë. Në jetën e tij formimi i Partisë Demokratike (PD) dhe zhvillimet e Viteve ‘90 koinçidojnë dhe me mendimin e parë të të riut për t’u marrë me politikë, si një shërbim i rëndësishëm në jetën e vendit, të Shqipërisë.
Kësokohe, kemi pjesmarrjen e Lulzim Bashës në disa tubime e protesta politike qytetare të PD-së si simpatizantë i politikave demokratike zhvillimore e shtypit të lirë të saj; aktivizimin me Komitetin e Helsinkut në Shqipëri; praninë në rolin misionar të Vëzhguesit në emër të Fondacionit “Johhanes Wer” në Zgjedhjet e 22 marsit 1992 (ndoshta ma i riu në moshë ndër vëzhguesit e KQZ); vizitat në selinë e PD e njohjet me kryetarin e PD-së e Presidentin e atëhershëm të Shqipërisë, prof. dr. Sali Berisha, etj.
Lulzim Basha, në vitin 2005, rikthehet plotfuqishëm në Shqipërinë e tij trojenike, i pesëfishtë në politikë, në karrierën politike të tij e të kohës: Kordinator i KOP-it (Komisioni i Orientimit të Politikave të PD); Zëdhenës i PD përgjatë Fushatës së Zgjedhjeve Parlamentare; Antar i Kryesisë së PD (maj); Deputet i PD dhe i Tiranës në Kuvendin e Shqipërisë (korrik, në Zona 33 -një nga ma të vështirat në Shqipëri, bastion tradicionalisht i të majtës së përbashkuar PPSH-PS), emërimin e miratimin Ministër i Punëve Publike, Transportit e Telekomunikacionit (shtator 2005).
Lulzim Basha, prej nga 2005-a e dekteri më 2011, do të mbante tri herë tre poste ministrore në dy qeveritë mandatore të Partisë Demokratike, përveçse Ministër i Transporteve (2005-’07)-përndryshe dhe Ministër i ndërtimit të Rrugës së Kombit-drejt Kosovës dardane e fqinjëve të saj, i lobimit ndërkombëtar për Tunelin e Krrabës-drejt Elbasanit, etj; edhe Ministër i Jashtëm (2007-’09)- përndryshe dhe Ministër kontributor i antarësimit të Shqipërisë në NATO, i kohë-shpalljes së Pavarësisë së Kosovës dhe i lobimeve për njohjet ndërkombëtare të saj; pritja e Presidentit Amerikan Xhorxh Bush në Shqipëri, etj; edhe Ministër i Brendshëm (2009-’11)-përndryshe dhe Ministër i “Liberalizimit të Vizave- Shengen”, etj.; duke lanë pas e në ardhmëri shenja kombëtare shqiptare të pashlyeshme e të pazhbëshme.
Lulzim Basha zgjidhet (2011-’15) kryetar i Bashkisë së Tiranës, ku përveç përgatitjes së Projektit të Zhvillimit Strategjik të Kryeqytetit- Metropolit Shqiptar, si një nga njerëzit e lidhur fort me historinë e qytetit-vendlindjes së tij, dha shembullin e shkëlqyer prej qytetari të menaxhimit perfekt të resurseve, të ruajtjes me kujdes të jashtëzakonshëm të trashëgimisë historike, monumentale dhe kulturore të Tiranës, zhvillimin e saj të balancuar sipas parametrave ekologjik dhe mjedisor, të cilët sot janë kthyer në një nga ngërçet e pariparueshme në kryeqytet, në qeverisjen e kryeqytetit. Sot Tiranës po i zhduket historia me një arrogancë të paimagjinueshme, ashtu siç mjedisit të saj i mungon dielli, ajri, oksigjeni dhe trashëgimia kulturore po i keq-trajtohet me një agresivitet tipik prej pushtuesi, me sulme në identitetin kulturor e shpirtëror të qytetit, njerëzve e mjedisit.
Në opinionin e Bashës, vlerësimi për Partinë Demokratike është i çiltër, korrekt, i qartë, që përbën edhe thelbin e tij prej lideri të sotëm, kur ai nënvizon, komenton, argumenton: ”Partinë Demokratike e kam parë gjithmonë si një pasuri të jetës publike shqiptare, si një interes parësor, si një parakusht të demokracisë shqiptare dhe garante të karakterit evropian të shoqërisë sonë”, ku siç shihet lëviz një kohezion historik dhe bashkëkohor i shoqërisë, pasi në aktivitetin, veprimtarinë politike dhe në drejtimin e vendit (Shqipërisë) PD ka vepruar si parti e të gjithëve, ndryshe praktikës diktatoriale të së majtës “ku më i riu i ngjan më të vjetrit”.
Duke besuar në aktin themeltar të Partisë Demokratike, mbi konceptet e shenjta Të Lirisë dhe Të Drejtës, kryetari i PD (prej nga viti 2013), Lulzim Basha, kur flet për PD-në, dje, sot dhe nesër, mendon se: “Kjo do të jetë dekada e normalizimit dhe konsolidimit të demokracisë shqiptare, dekada e stabilizimit përfundimtar të saj dhe shpalosjes së potencialit tonë të plotë kombëtar.”
Ky, padyshim, patjetër, është një lajm i gëzuar.
4.
Metafora e refleksionit të librit/veprës “Misioni im” të Lulzim Bashës, pas një keq/qeverisjeje 8-vjeçare të Shqipërisë nga PS dhe kryeministri i saj me profesion piktor, lidhet me dy-tre elementë bazik të dukshëm të një politike të keqe në aktualitetin politik në të cilin jetojmë prej kohësh e aktualisht, e cila tashma është shndërruar në institucion, siç janë: zhbërja e drejtësisë, një nga pushtetet ma të nevojshme të funksionimit të demokracisë (e drejta përgjatë këtyre 8 viteve nuk ka pasur shtëpi dhe as derë ku të trokasë); krijimi i oligarkisë ekonomike, e cila valorizon dhe ndërton një rrjet kapilar abuzimi dhe përfitimi të padrejtë, dhe që investon për një qeverisje të keqe dhe abuzive; rrënimi i arritjeve historike dhe të mëparshme nga qeveritë paraardhëse lidhur me integrimin europian të vendit tonë, ku në 8 vite, siç duket qartas, Shqipëria nuk ka arritur të afrohet as dhe 8 mm. me Perëndimin Euro-Atlantik. Sot, Shqipëria, duhet të përmbushin 15 kushte bazike për të çelur Negociatat me BE-në, të cilat kanë të bëjnë me kushte elementare të demokracisë funksionale, që nga zgjedhjet e lira, korrupsioni, drejtësia dhe komunikimi politik. Mirëlexuar në thelbin e vet, të 15 Kushtet e BE-së paralajmërojnë një minim të demokracisë dhe shkarjen e vendit (Shqipërisë) drejt diktaturës nën rregjimin e një kryeministri, i cili e ka përqendruar pushtetin ekonomik, politik legjislativ, policinë dhe ekzekutivin në duart e tij, për të udhëhequr “me dorë të fortë” (apo të rëndë) – në një “demokraci të dobët” (të ligshtë, të lodhun).
5.
Në themelin e shteteve totalitare dhe diktatoriale fillimisht është mungesa e Opozitarizmit. Shqiptarët kanë një traditë e praktika tradicionale të hershme për ta dëgjuar “tjetrin”, çka këtë e sanksionon që herët, ndër shekuj, edhe “E Drejta Zakonore Shqiptare”.
Praktika gati 50 vjeçare e PKSH (PPSH) e eliminoi Opozitarizmin, madje kundërshtarët e vet politik i vrau, i burgosi, i internoi, i persekutoi, i diskriminoi (edhe së bashku me familje e farefisni të tyre). Përveç episodeve të dhunës, pas vitit 2013 dhe deri tashti, lidershipi i PS-së, kryeministër i saj/i vendit në këto 8 vite, në duart e të cilit janë përqendruar të gjitha pushtetet, me një plan të detajuar dhe të imët e ka rrënuar institucionin e domosdoshëm të Opozitarizmit. Pra, Demokracisë i ka hequr dhe vrarë njërën nga shtyllat më të nevojshme për të qëndruar ngrehina e saj solide, rrezatuese, lartësuese.
Ndërsa Lulzim Bashës, për t’u identifikuar qartë si lider i ri i PD- një forcë politike të djathtë, i është dashur të përballojnë edhe autoritetin e lartë dhe mbështetjen (gati mitike/hyjni) në rradhët e saj, dr. Sali Berishën, jo për ta mohuar dhe “vrarë” atë, por për të krijuar personalitetin e vet në rrethanat e reja, por duhet thënë edhe kjo tjetra, se Basha u gjend në një kurth vrastar të PS, e cila drejtonte vendin, përmes Reformës në Drejtësi, të cilën PD e votoi atë, por ajo u kap, siç thuhet, nga “duart e ndyra” të qeverisë dhe kryeministrit në detyrë, çka e çoi vendin në një “shtet pa drejtësi”. Basha lidhur me këtë klimë të tmerrshme, në të cilin u gjend vendi ynë, fjalashkruan realitetin politik, juridik e social: ”Praktikisht, opozitarizmi im po zhvillohej pa një rend kushtetues dhe institucional që do të shërbente si arbitër mes palëve.”
Për një kohë të gjatë në Shqipëri nuk kishte as Gjykatë Kushtetuese, një kryeprokurore u zgjodh shpejtas e disi keqas- me 69 vota, pra e drejta për të gjykuar padrejtësinë ishte vrarë, ndaj si i tillë u vra dhe Opozitarizmi, kjo një skemë e rëndë dhe vrastare për kapjen e shtetit nga krimi vertikal dhe horizontal, ku vepronte një qeveri “e pamonitoruar nga Europa”.
Në këto kushte Opozitarizmi logjikisht do të përdorte mjetet ma ekstreme, si “Djegia e mandateve”, “Bojkotimi i Zgjedhjeve Lokale të vitit 2019”, të cilat lideri i PD e Opozitës (PD-AN), Lulzim Basha, i quan përcaktimisht, si “forma e vetme e mbijetesës në terma politik, si klithma e fundit e opozitës shqiptare për gjendjen ku ndodhje demokracia në Shqipëri”.
Lulzim Basha te “Misioni Im”, nuk labirinthon në thelluta të këtyre dy akteve-vendimeve politke ekstreme të dy viteve ma herët (2019), ndaj dua të cek faktin se Protestat popullore masive të Opozitës së Djathtë e të Majtë të atëherit, të mbajtura si rrallë herë në Shqipëri, të quajtura ndryshe dhe “Demonstrata” apo “Pranvera Shqiptare/Ballkanike”, me Thirrjet/Kërkesat/Ultimatumet politike: “Zgjedhje të Parakohshme”, “Qeveri Teknike”, etj. ishin, pothuaj, në të njëjten kohë kalendarike e rrethana politike me Protestat/Demonstratat të (pa)përngjajshme në masivitete, parulla-qëndrime politike, etj. në krejt Ballkanin Perëndimor. Pra, atëherit, ishte “stinë protestash”. Në Malin e Zi dhe në Serbi protestat politike masive kërkonin, njësoj si në Shqipëri: “Zgjedhje të Parakohshme”, etj. ndërsa në Greqi e në Maqedoni bëheshin për emrin e ri “Maqedoni e Veriut”, etj., (ku ato në Greqi iu ngjanin dhe atyne të pakënaqësisë greke për “Krizen e Borxheve”), kurse në Bosnje-Hercegovinë për shkarkimin e ministrit të Brendshëm boshnjak, të cilat u shtrinë me solidarizime dhe në Kroaci e Serbi. Protesta, jo aq të mëdha e disi të lokalizueme, si për Të Drejtat e Njeriut, për mosndërtim të HEC-eve në Lumabardhët e Rrafshit të Dukagjinit, etj. pati dhe në Kosovë. Mirëpo, kur Opozita e Bashkuar në Shqipëri “i dogji mandatet e deputetit”, i “bojkotoi Zgjedhjet Lokale”, etj. u lëshuan me të tilla kërkesa e peticione ekstreme edhe opozita revanshiste në Malin e Zi (opozita serbe), sikurse dhe opozita në Serbi, ndërsa serbët e Kosovës po planifikonin braktisjen e të gjithë institucioneve të Prishtinës zyrtare. Prandaj, në këto kushte/situata/rrethana/realitete politike shqiptare e ballkanike, Perëndimi Euro-Atlantik (Amerika-BE-NATO, KE, OSBE, etj.), ndoshta për të parandaluar që të mos përseriten rastet/shembulli ekstrem “Made in Albania” kësokohe, kryen ndëshkueshmëri të rëndë, e banë të parin e të vetmin “kurban ballkanik” Shqipërinë, Opozitën e Bashkuar të Djathtë e të Majtë të Shqipërisë. Me sa duket Koha, Vendi e Mënyrat nuk kishin tjetër zgjidhje, përveçse kësaj, e cila solli pasoja/rrënoja të dëmshme në politikën shqiptare për Opozitarizmin, etj., Mirëpo, 2021-shi i ardhjes në pushtet qëndror i qeverisjes së PD-AN e LSI nuk mund të funksionojnë/vazhdojnë me një qeverisje lokale moniste, se kështu, kësisoj, do të kemi ende një demokraci të deformuar…, ndaj duhen me emergjenci kombëtare Zgjedhjet Lokale të Parakohshme.
Në modelin politik të Lulzim Bashës Opozitarizmi dhe Misioni i tij është i pashmangshëm në një Rend Demokratik, Opozita është pasqyra ku sheh fytyrën qeverisja e vendit, prandaj Basha thotë se “do të propozojë kthimin në shtratin demokratik të traditës 25 vjeçare të demokracisë shqiptare, ku ligji zgjedhor dhe kuadri i garës elektorale të miratohet në mënyrë të përbashkët dhe konsensuale”, dhe posaçërisht në jetën parlamentare, ai kërkon për të “fuqizuar fort kontrollin parlamentar të opozitës mbi veprimtarinë e qeverisjes, nëpërmjet dhënies së drejtimit të më shumë komisioneve parlamentare.”
Në një shtet ku mungojnë gjykatat e drejta vritet keqas, atë e vret vet Shteti, kjo është historia e trishtueshme e Shqipërisë për gati 6 vitet e fundit. Këtë situatë sureale dhe absurde Lulzim Basha e tregon kur ai është takuar me organizatat/organizmat ndërkombëtare dhe me parlamentarë të Vendeve të BE-së, ku gjykatat dhe organet e drejtësisë janë garancia e Të Drejtës dhe të Demokracisë. Në kapitullin e sigluar ”Urgjenca e normalizimit”, ndërsa shkruan se “Edi Rama, brenda 8 viteve të qeverisjes së tij, arriti ta shpërbëjë plotësisht mekanizmin demokratik dhe rendin kushtetues të Shqipërisë”, që në vetvete përbën një krim, ashtu siç rigjeneroi mbështetje për segmente të krimit për zgjedhjet, lideri demokrat ravijëzon thelbin e një shteti demokratik, sepse “Në një shtet demokratik, të drejtën nuk ta jep lideri, nuk ta jep individi kushdo qoftë ai, të drejtën ta jep dhe ta garanton ligji.” Këtë dëm të madh të një qeverie autokratike e ka klasifikuar sot Shqipërinë në zonat e errëta lidhur më funksionimin e Demokracisë.
Lulzim Basha ka një refleksion bashkëkohor, mbështetur në përvojën e përparuar të shteteve demokratike të Perëndimit, ndaj kryeopozitari i sotëm e kryeministri i ardhshëm, mendon se Shqipëria ka nevojë për një formulë të gjerë demokratizmi, me ç’rast edhe propozon “një mekanizëm të ri kushtetues, i cili na çon drejt një kushtetute të re demokratike, me një konsensus të gjerë shoqërorë nga të gjitha palët”, ku vlen thelbësisht një “Kontratë Sociale” dhe një kuorum i lartë jo me 2/3 (dy të tretat) por ¾ (tre të katërtat), e çertifikuar dhe me një Referendum Popullor, e cila e konsolidon rendin demokratik në vend, në Shqipërinë tonë të pas 25 prillit 2021.
Një vend me ligje dhe gjykata të drejta është i favorshëm për investitorët strategjikë dhe sezonal të vendit dhe të huaj. Shqipëria sot është një shembull i keq i mungesës së investitorëve të huaj (siç dëshmojnë dhe Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH), Banka Botërore, BE-, etj.) për shkakun se ata ekspozohen ndaj arbitraritetit qeveritar, të cilët humbasin përballë oligarkëve që i zotërojnë të gjithë burimet dhe përfitimet e investimeve në Shqipëri. Sot në gjykatat ndërkombëtare Shqipëria mund të përballet me humbje të disa qindra milionë euro, për shkakun e arbitraritetit dhe prishjeve të kontratave me aktorët e huaj investitorë në sektorët strategjik të vendit tonë.
6.
As dhe në “teatrin absurd’ kotësia dhe të sjellit në bosh, nuk është i pranishëm siç është praktika dhe mënyra si është ndërtuar “Ligji për Arsimin” në Shqipëri në të ashtuquajturën “Reforma Arsimore”, por jo vetëm kaq gjatë kësaj qeverisje të PS-së në Shqipëri prej nga viti 2013- 2021. Mjafton të citosh çka Lulzim Basha trajton që në fillimin e kapitullit të titulluar “Shteti i vogël dhe efiçent”, ku ai shkruan: ”Ndërsa debatonim me bashkëpunëtorët e mijë argumentet për të kundërshtuar ligjin famëkeq për Arsimin e Lartë, njëri prej tyre, pasi kishte numëruar të gjitha aktet nënligjore që kërkonte zbatimi i këtij ligji, na i tregoi ato. Ishin jo më pak se 37 VKM ose Udhëzime.”, dhe, më pas, ai shpjegon: ”E vërteta është se kur një ligj kërkon kaq shumë akte nënligjore për t’u zbatuar, fryma e ligjit deformohet dhe ai bëhet praktikisht i pazbatueshëm…”, ndërsa hallkat e tij të shumta në zyra të shtetit tregojnë një burokraci të fryrë e të pa nevojshme, një burokraci që paguhet me paratë e taksapaguesve shqiptarë.
Ideja dhe praktika e një shteti të stërmadh është element i qartë e traditës etatiste, një përvojë e shteteve ku pjesën më të madhe të të ardhurave e përvetëson burokracia, rrethi i ngushtë i kreut ekzekutiv të shtetit, klanet e tyre.
Një administratë e stërmadhuar në kushtet e një sistemi zgjedhor të tillë është një mekanizëm i njohur për të marrë vota më shumë partia në pushtet përmes përdorimit të administratës shtetërore. Nga një vit, sikurse sivjet më 2021, administrata shtetërore dhe ajo e pushtetit vendor në Shqipëri është kaq e madhe, diku në dhjetë mijë është rritur vetëm gjatë muajve të parë të vitit 2021, për të shtuar votat përmes presionit në vendin e punës.
Në këto kontekste të tilla të gabuara, madje aspak të dobishme për njerëzit, është dhe Reforma Territoriale, e cila tregoi një praktikë arbitrariteti, pasi sot një pjesë e madhe e fshatrave të Shqipërisë nuk janë aspak në konsideratën dhe kujdesin e bashkive, të cilat kanë përqendruar të gjithë burimet dhe të ardhurat në mjedise të ngushta dhe klienteliste, etj.
Në përdorimin keq të të ardhurave që Shqipëria siguron përmes taksave dhe mekanizmave të tjerë ekonomikë, Lulzim Basha konstaton ngritjen e enteve dhe agjencive të kota dhe të pavlefshme, të cilat janë një litar në fyt për shqiptarët, siç ai e quan ndryshe “një shtet me vula të shumta, me firma të shumta”, përdorimi bastard i konçesioneve të njohura ndryshe si PPP-të, të cilët e kanë zhvendosur rriskun te publiku, d.m.th buxheti i shtetit dhe shumë allishverishe të tjera, të cilat e kanë shfrytëzuar pa asnjë efikasitet burimet ekonomike dhe buxhetin e shtetit, i cili funksionon mbi burimet e taksave të shqiptarëve. Kryeministri aktual, i cili është një kryeministër pa profesion e ka njësuar shtetin shqiptar me pushtetin, Shqipëria nuk ka sot një model ekonomik të qartë. Lulzim Basha beson te “shteti i vogël, te proçedurat e thjeshta, të cilat janë një premisë për të qenë efikase.”
7.
Një çështje e rëndësishme, madje thelbësore, në opinionin e Lulzim Bashës, kandidati për kryeministër i Shqipërisë, është ajo e “Zgjimit Ekonomik Shqiptar”, sipas të cilit e nënkupton “shpërthimin e të gjithë forcave novatore, zhvilluese dhe pozitive që mbartim si shoqëri: pra, shfrytëzimin e këtij potenciali…” me fermerët, sipërmarrësit, studentët, profesorët, bankierët, ekonomistët etj”, sepse Shqipëria ka sot një de-industrializim të frikshëm, ndërsa ekonomia ka një vendnumëro krahasuar dhe me vendet fqinje. Duke konstatuar pesë burimet e së keqes, të cilat ia kanë zënë frymën zhvillimit dhe progresit ekonomiko-social Shqipërisë (fryma etatiste e qeverisë, taksa e pandershme progresive, arbitrariteti për ekonominë shqiptare nga qeveria, shpartallimi i çdo proçedure dhe proçesi për shpërndarjen e parave dhe zhdukja e garës si kusht për zhvillimin e ekonomisë dhe shpartallimi i drejtësisë), lideri i PD e Aleancës për Ndryshim mendon se në Shqipëri duhet krijuar, zgjuar dhe fuqizuar shtresa e mesme, shkon tek propozimi i Taksës së Sheshtë në masën 9%, si një burim i sigurtë të vjeljes më të madhe të taksave, që krijojnë një raport të sigurtë në rimëkëmbjen ekonomike dhe shpërndarjen e të ardhurave njëkohësisht. Disa nga këto nisma e objektiva të liderit të PD e Opozitës së Bashkuar, Lulzim Bashës-kryeministri i ardhshëm, janë përshendetur dhe nga institucione e organizma ndërkombëtare, edhe para Zgjedhjeve të 25 Prillit 2021.
Dalja në tregjet e huaja, zhvillimi i turizmit bregdetar dhe malor-alpin, investimi në sektorin teknologjik, lulëzimi i ekonomive të vogla, përdorimi i resurseve të shumta që ka vendi ynë, kërkojnë me patjetër vetëm një qeveri të drejtë dhe bashkëpunim korrekt që ekonomia shqiptare të zgjohet. Liria Ekonomike është një nga tiparet e njohura të trashëgimisë së partive dhe qeverive të djathta në historinë ekonomike botërore. Ndërsa “E majta ka dy shekuj që përpiqet të diskretitojë pa reshtur ekonominë e tregut të lirë...”, Lulzim Basha mendon se: “I vetmi kusht i mirëqenies për të gjithë, i vetmi sistem që ka njeriun në qendër është ai me në qendër liritë ekonomike dhe konkurrencën e ndershme.”, çka e ka treguar në dy rastet kur në drejtimin e vendit ka qenë PD, e cila zgjoi praktikën e tregut kudo, si një burim zhvillimi. Sot për shkakun e keqmenaxhimit të ekonomisë së tregut, zhdukjen e konkurrencës, Shqipëria është vendi tipik i mbylljes frikshëm e masivisht të bizneseve si një ndërmarrje e lirë e ekonomisë së tregut, e cila shoqërohet me pasoja të rënda në të gjithë shtresat e popullsisë së vendit, të Shqipërisë së shek. XXI.
8.
Çështja e Familjes është një kusht i rëndësishëm në të pasurit të një shoqërie të shëndetshme. Shqipëria tashmë është ekspozuar ndaj një eksodi të dhimbshëm për shkakun e rrënimit ekonomik të vendit. Parashikimet e errëta të organizatave/organizmave botërorë, lidhen fort me familjen shqiptare, e cila është burim i parë dhe më i rëndësishëm i marrëdhënies që individi krijon me vendin e tij. Familja shqiptare po zvogëlohet, po rrënohet, ajo ka frikë të rritet për shkakun e sfidës ekonomike që ka për të jetuar. Ndërsa në traditën totalitare shqiptare, praktika, se nëna është Partia dhe baba është Enveri, ndryshe “E djathta e konsideron familje të shenjtë, e konsideron atë bazën e ecjes përpara të shoqërisë, bazën e ecjes përpara të kombit tonë. Unë besoj siç thoshte Çurçilli: nuk ka asnjë dyshim se virtytet më të mira, vlerat më dominonte njerëzore janë krijuar, janë përforcuar dhe janë ruajtur në familje.”, përbëjnë një raport dhe marrëdhënie të shenjtë që një qeveri dhe shtet mund dhe duhet të vendosë me këtë qelizë fondamentale të shoqërisë.
Kështu, një rëndësi jetike në opinionin e Lulzim Bashës merr praktika e investimeve, politika e zhvillimeve të balancuara në çdo vend të banueshëm në Shqipëri.
9.
Kultura e një vendi është burimi i respektimit të së shkuarës, i edukimit me ndjenjën kombëtare dhe identitetin kombëtar, është burimi i prodhimit të vlerave dhe evidentimi jetik i udhë-vazhdimit të shoqërisë, e cila mban në vetvete shenjat e saj. Lidhur me këtë Basha shkruan se: ”Një komb pa kulturë, nuk është i gatshëm të përballet me sfidat e së ardhmes. Për shkak të historisë sonë, shqiptarët, më tepër se të tjerët, kanë nevojë për ambasadorët e kulturës.”, një opinion që e nyjëton një problem madhor në vend.
Gjatë periudhës 8-vjeçare të qeverisjes së PS në vend, në Tiranë, kryeqytetin e vendit tonë, por dhe në qytete të tjera, është rrënuar trashëgimia kulturore, monumentet e kulturës janë zëvendësuar me maninë e kullave shumëkatëshe, të cilat shpesh herë janë burime të aferave të mëdha korruptive. Tirana veçmas ka humbur identitetin e vet. Rrënimi me barbari, nëpër një natë të errët dhe nën pushtetin e Policisë së Shtetit, ku Shteti dhe Bashkia ishin bashkë në shembjen e Teatrit Kombëtar në Tiranë ishte një nga armiqësitë e hapura që kjo qeveri ka krijuar me kulturën dhe njerëzit e kulturës në përgjithësi.
Lulzim Basha mendon se kultura është jetike për transformimin shoqëror të Shqiptarëve, pasi “E drejta për të marrë pjesë në të jetën kulturore të vendit, është pjesë e Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut”, prandaj ai mendon se “Jeta kulturore shqiptare, duhet të decentralizohet, duhet të çlirohet nga imponimi politik, duhet të çlirohet nga sajesat, që të bëhet bashkëkohore dhe të inkurajojë pjesëmarrjen e gjerë të shoqërisë për t’i shërbyer pastaj asaj.” Qeveria Basha do të jetë një kujdestare e rëndësishme e kulturës dhe njerëzve të saj në të gjithë pikëpamjet dhe kërkesat jetike që ka komuniteti i artistëve dhe njerëzve të artit.
10.
Familja ku ka lindur, është rritur dhe edukuar Lulzim Basha ka një simbolikë sublime. Ai një pjesë të origjinës së tij e ka nga Kosova, e tokës dhe historisë martire për mbijetesë dhe identitet kombëtar. Peja dhe Drenica kanë një bashkëlidhje solide të të shkuarës, që Basha i ka përthithur idealisht dhe me dashuri në edukimin e tij.
Njohja me Kosovën dhe shërbimin që Basha i ka bërë Kosovës në emër të organizatave/organizmave ndërkombëtare është një çështje nderi, të cilin ai e ushqen me krenari, ndërsa shërbimin ndaj Kosovës, qoftë kur ishte në detyrën e Ministrit të Jashtëm, me ç’rast ka kontribuar fort në krijimin dhe njohjen e shtetit të Kosovës, ai e ka konsideruar detyrë të shenjtë.
Lulzim Basha, siç e cekëm dhe kryehere, ka punuar dhe me ekipin e Tribunalit për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi, që kontribuoi në dokumentimin dhe ngritjen Akt-Akuzës kundër Millosheviqit për Krime Kundër Njerëzimit etj. ndaj Shqiptarëve të Kosovës, e cila përbënte një akt fondamental lidhur me të drejtën e popullit të Kosovës për t’u mbrojtur nga Konventat e Organizata/Organizma Ndërkombëtare.
Raportet, marrëdhëniet, planet e përbashkëta të qeverisë së tij “Basha” me qeveritë e Kosovës, të çdo krahu qofshin ato, janë prioritet madhor e i vazhdueshëm për Lulzim Bashën dhe qeverinë e tij, se beteja për Kosovën nuk ka mbaruar ende. Në opinionin e Bashës rëndësi jetike lidhur me Kosovën merr “Përmbyllja e proçesit të integrimit dhe konsolidimit të shtetësisë së Kosovës, mbyllja përfundimtare e njohjes ndërkombëtare të Kosovës, anëtarësimi i saj në OKB, NATO dhe rrugëtimi i përbashkët drejt BE-së, do të jetë në fokusi i politikës sime të jashtme.”
* * *
Në kaq pak gjëra të rëndësishme që ne i shenjuam në këtë trajtesë, parashtresë, mendimtari rreth/për librin e botuar, për veprën “Misioni Im” të politikanit të ri, Lulzim Basha – lider i PD e Opozitës së Bashkuar Politike, në këtë stinë elektorale, në prag të votimeve politike të 25 Prillit 2021, natyrisht E Drejta e Shqiptarëve për të Ëndërruar është legjitime, ka të bajnë me të sotmen e të nesërmen e Shqipërisë, të Shqiptarëve.
Rrugëtim të mbarë, politikani i ri, lideri i kohës, Lulzim Basha!
Tiranë, prill 2021