Ne shpesh i shohim liderët më të fuqishëm si ata që marrin vendimet dhe si persona të palëkundur. Kjo na bën që t’i shikojmë ata me admirim. Edhe studime të ndryshme kanë rënë dakord mbi një gjë të tillë. Në studimin e tij të fundit, Jim Collins, lektor dhe autor i “Good to Great” zbuloi se një cilësi e zakonshme midis liderëve të mëdhenj është shpejtësia dhe vendosmëria.

Por Jeff Bezos, i cili ka bërë publik vendimin e tij për t’u tërhequr nga roli i tij si CEO i Amazon në fund të 2021 dhe kalimin në rolin e Drejtorit Ekzekutiv, i sheh gjërat pak më ndryshe.

Qëndrueshmëria e mendimit nuk është një cilësi pozitive

Në një postim në 2012, Jason Fried, bashkëthemelues i Basecamp dhe bashkautor i librit më të shitur të New York Times “Rework”, tregon një kohë kur z. Bezos shkoi në zyrat qendrore të kompanisë së tij dhe zhvilloi një seancë 45-minutëshe me pyetje-përgjigje.

Menjëherë pas saj, themeluesi i Amazon ndau një pasqyrë interesante mbi “njerëzit që kanë shumë të drejtë”.

Sipas Fried, z. Bezos tha se njerëzit që kishin shumë herë  të drejtë ishin njëkohësisht edhe njerëzit që ndryshonin më shpesh mendje. “Kjo është krejtësisht e shëndetshme, madje edhe e nxitur në disa raste, të kesh nesër një ide që kundërshton idenë e sotme”.

Bezos vazhdoi të shpjegonte se njerëzit më të zgjuar që ai ka takuar gjithmonë “rishikonin idetë e tyre, duke riparp një problem që ata mendonin se e kishin zgjidhur tashmë. Ata janë të hapur ndaj ideve të reja, informacioneve të reja, kontradiktave dhe sfidave mbi mënyrën e tyre të të menduarit”, kujton z. Fried. Me pak fjalë, njerëzit e zgjuar (ata që kanë “shpeshherë të drejtë”), ndryshojnë mendje shumë shpesh.

Asgjë nuk është e përcaktuar

Kur u pyet se cilat tipare nënkuptonin dikë që “gabonte shumë” në atë kohë, z. Fried thotë se përgjigjja e z. Bezos ishte “prirja për t’u fiksuar me detaje që mbështesin vetëm një këndvështrim. Nëse dikush nuk mund të dalë nga korniza dhe të analizojë një çështje të caktuar nga këndvështrime të shumta, atëherë ata janë edhe njerëzit që gabojnë pjesën më të madhe të kohës”.

Është e rëndësishme të theksohet se z. Bezos nuk do të thotë që njerëzit e zgjuar janë të pasigurt për vendimet e tyre. Ai thjesht thotë se ata janë të kënaqur të gabojnë, gjë që i lejon ata të analizojnë të dhëna të reja, të jenë të hapur ndaj ideve të reja dhe të rishikojnë pozicionet e gjata.

Siç shkruan psikologu Mel Schëartz, “Një nga temat më të përhapura dhe dëmtuese në kulturën tonë është nevoja për të pasur të drejtë. Kjo është ngulitur aq thellë në sistemin tonë të besimit dhe në psikikën tonë kolektive saqë kurrë nuk bëjmë asnjë minutë pushim dhe të mundohemi ta shikojmë atë ndryshe”.

Nuk është vetëm Bezos

Në një konferencë D10 në 2012, Tim Cook ndau një numër mësimesh që kishte marrë nga Steve Jobs. Ajo që i bëri më shumë përshtypje CEO-s së Apple ishte aftësia e z. Jobs për të ndryshuar mendim, shpejt dhe shpesh. “Z. Jobs mund të ndryshonte mendim aq shpejt dhe aq shpesh, saqë mund të dukej e pamundur që një ditë më parë ai kishte qenë pozitiv dhe e kishte mbrojtur me bindje një ide tjetër”, tha ai për audiencën.

“E shihja çdo ditë. Kjo është një dhuratë, sepse gjërat ndryshojnë dhe duhet guxim për të ndryshuar. Duhet guxim të thuash “gabova”.

Al Pittampalli, autor i librit “Si liderët e mëdhenj ndryshojnë mendjen e tyre për të ndryshuar botën”, është një konsulent i cili ka punuar me drejtues të ndryshëm në NASA, Boeing dhe IBM. Në një intervistë me Canadian Business, ai argumenton se njerëzit më të zgjuar “nuk presin që t’i vijnë reagimet negative nga jashtë por ata nxitojnë dhe përpiqen të ndryshojnë vetë mendim dhe madje sa më shpejt nëse e kuptojnë se e kanë gabim”.

Kështu që herën tjetër kur të merrni një vendim, mos harroni se është në rregull ta ndryshoni këtë mendim të nesërmen! Objektivi kryesor dhe ai final është që në fund të merrni vendimin e duhur! / CNBC