India do të zgjerojë programin e vaksinimit kundër koronavirusit, njoftoi të martën Qeveria e këtij vendi.

Nisur nga 1 maji, të gjithë të rriturit mbi 18 vjeç do të mund të vaksinohen.

Aktualisht, përparësi në vaksinim kanë punonjësit shëndetësorë dhe personat mbi 45 vjeç.

Megjithatë, disa shtete të Indisë kanë raportuar mungesa të vaksinave dhe nuk është e qartë se nga do t’i sigurojnë dozat e reja.

Javën e kaluar, Qeveria ka thënë se ka vetëm 27 milionë doza – të mjaftueshme për nëntë ditë me ritmet aktuale të vaksinimit.

India është duke u përballur me rritje të shpejtë të rasteve me koronavirus.

Që nga 15 prilli, ajo raporton rreth 200,000 raste të reja në ditë.

Shifra tejkalon shumë kulmin e vitit të kaluar, që ishte mesatarisht 93,000 raste në ditë.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, India ka numrin më të madh të të infektuarve, pas SHBA-së.

Ajo ka konfirmuar mbi 15 milionë raste pozitive dhe mbi 180,000 vdekje.

Shtetet e Bashkuara prijnë në botë me mbi 31 milionë raste të konfirmuara dhe mbi 567,000 viktima.