Efikasititeti i strategjisë shtetërore të Kosovës  varet nga disa faktorë, por dy janë më të rëndësishmit: domosdoshmëria e  arritjes së një konsensusi nacional, me bazë të gjerë politike e shoqërore, që objektiv madhor do të kishte demonstrimin e një qëndrimi unik kundrejt sfidave që sjell kohadhebashkërendimi i qëndrimeve e veprimeve politike në koordinim të plotë me aleatët tanë strategjik, sidomos me SHBA, sa i përket hapave që duhet ndërmarrë në raport me çështjet pambyllura me Serbinë dhe me temat me interes nacional gjithshqiptar

Nga Mehmet PRISHTINA

A ka Kosova strategji shtetërore për menaxhimin e situatave që sfidojnë integritetin dhe sovranitetin e saj? Kjo pyetje bëhet edhe më aktuale pas publikimit të ashtuquajturit Planislloven për ripërkufizimin etnik të Ballkanit. Zyrtarisht ky plan është hedhur poshtë si i dëmshëm nga ana e qarqeve politike e institucionale të Prishtinës, përfshi edhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Kjo e fundit ka qenë shumë e qartë kur ka  konstatuar se Kosova nuk do të ulet në asnjë tavolinënegocimi ku bisedohet për kufijtë e saj.

Por, a mjaftojnë vetëm deklaratat e zyrtarëve, sado të arsyeshme të jenë ato, për të krijuar një frymë gjithëpërfshirëse, jo vetëm mbi temën në fjalë, por edhe për shumë çështje të tjera, që kanë të bëjnë me interesat nacionale të Kosovës dhe popullit të saj.

Nëse ndjekim debatet që po zhvillohen ditëve të fundit nëpër studio dhe media të ndryshme, fitohet përshtypja sikur Kosova i ka punët shumë në terezi dhe tani i ka mbetur të merret me tema terciare. Dëmi do të ishte dukshëm i vogël sikur këto debate të mos prodhonin shikueshmëri të madhe dhe për pasojë Kosova në vend që të merret me rrënjët e problemeve, ajo po  harxhon energji të kotë në tema periferike dhe aspak produktive për të sotmen dhe të  nesërmen.

Qeveria e Kosovës, e cila ende nuk është kompletuar me të gjitha kapacitet institucionale e ligjzbatuese duhet patjetër ta hartojë një plan aksionar nacional, në të cilin do të gjenin vend edhe opozita, edhe shoqëria civile, edhe bota akademike e shkencore edhe mediat. Ky plan duhet të përfshijë ato problematika që kapërcejnë interesat e ngushta politike të një qeverie, duke e bërë frontin më të gjerë në një fushëbetejë” ku ka vend për të gjithë. Ku ka vend, para së gjithash, për ekspertë dhe njerëz të përvojave akademikee shkencore, për diplomatë të karrierës, për autorë që kanë hartuar ligje dhe amendamente kushtetuese si dhe për shumë njohës të funksionimit të shtetit dhe administratës.

Mandati i një qeverie buron në vullnetin politik të atyre që kanë votuar për ndryshime, por strategjia shtetërore është më e gjerë se pushteti i një koniunkture politike. Efikasititeti i kësaj strategjie varet nga disa faktorë, por dy janë më të rëndësishmit: domosdoshmëria e  arritjes së një konsensusi nacional, me bazë të gjerë politike e shoqërore, që objektiv madhor do të kishte demonstrimin e një qëndrimi unik kundrejt sfidaveqë sjell kohadhebashkërendimi i qëndrimeve e veprimeve politike në koordinim të plotë me aleatët tanë strategjik, sidomos me SHBA, sa i përket hapave që duhet ndërmarrë në raport me çështjet pambyllura me Serbinë dhe me temat me interes nacional gjithshqiptar.

Deri më tani Kosova ka shkuar në bisedime me Serbinë pa një strategjie të qartë shtetërore. Ose, edhe nëse ka pasur njëfarë strategjie, ajo ka qenë e përkohshme dhe ka ndryshuar varësisht nga drejtuesit e shtetit. Pra, nuk ka pasur një strategji konstante, konsistente në parime e qëndrime, e cila do të vlente për një kohë të gjatë, që do të përdorej nga të gjitha qeveritë.

Tani rrethanat kanë ndryshuar dhe binomi Kurti-Osmani, ashtu edhe siç janë zotuar para votuesve, duhet të praktikojnë një stil krejt tjetër në ngritjen  e kësaj strategjie shtetërore të munguar.Por, gjithmonë duke bashkëpunuar me opozitën, dhe duke hapur një debat të gjerë shoqëror.

Kosova ka një mori problemesh të grumbulluara, të cilat nuk mund të tejkalohen për një kohë të shkurtër, prandaj është më se e domosdoshme që t’i lihet kohë qeverisë aktuale që të tregoj në praktikë se çka di dhe çka mundet. Kjo vlen sidomos për mediat, të cilat kanë rol primar të jenë korrektor të qeverisë dhe institucioneve të ndryshme shtetërore, por vetëm duke qenë konstruktiv në kritika. Mediat e Kosovës kanë luajtur një rol të jashtëzakonshëm në demokratizimin e proceseve shoqërore, por jo pak prej tyre kanë qenë zëdhënëse të oligarkive të caktuara, të cilat në vend se të merren me probleme madhore, iu kanë dhënë hapësirë zënkave e konflikteve verbale të brendshme që nuk kanë patur kurrfarë impakti në interesin publik.

Kosova ka edhe Akademi të Shkencave dhe ka disa universitete. Roli i akademisë dhe i universiteteve është ngushtësisht i lidhur me orientimin e mendimit kritik e shkencor që do të ishte në funksion të strategjisë shtetërore. Një shtet është i gatshëm të hyjë në beteja të vështira politike e diplomatike, vetëm atëherë kur e ka të rumbullakuar procesin e konsolidimit të brendshëm institucional, akademik, shkencor, intelektual e mediatik.

A mund të themi se shteti ynë e ka këtë konsolidim? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, të shohim se si e kemi gjendjen e botimeve shkencore në gjuhë të huaja, që prekin interesin nacional të Kosovës. Përveç ndonjë paraqitjeje individuale e sporadike, bota shkencore e akademike e Kosovës ende nuk ka prodhuar një opus të kënaqshëm botues që do të ishte referenca kryesore për shumë studiues e diplomatë të huaj që merren me shtetin tonë.

Mediat tona nuk kanë gati kurrfarë hapësire në gjuhë të huaj ku do të plasoheshin pikëpamjet e idetë tona mbi të sotmen dhe të ardhmen. Të gjitha perceptimet e të huajve për Kosovën krijohen tërthorazi, madje jo rrallë edhe përmes propagandës së Beogradit, e cila është mjaft aktive dhe mjaft sfiduese sa i përket plasimit të të vërtetës së njëanshme serbe në botë. Këtë kohë më parë ma ka konfirmuar edhe një gazetarë i huaj që e pat vizituar  Kosovën, i cili kishte shumë nevojë për një rrëfim që do të përmbante dy anën e medaljes. Vetëm pas një bisede me të dhe sidomos pas mënyrës se si i parashtronte pyetjet, erdha në përfundim se ai paraprakisht kishte lexuar materiale të autorëve serbë mbi Kosovën, ku shqiptarët paraqiteshin si njerëz që iu kishin bërë shumë dëme serbëve të përvuajtur. Vetëm kur ia numërova masakrat e kryere mbi shqiptarët nga ana e falangave serbe, kur ia numërova faktet rrëqethëse mbi dhunimet dhe zhdukjen e gjurmëve të të pagjeturve, vetëm atëherë pashë në fytyrën e gazetarit të huaj një drithërimë shqetësimi e keqardhjeje për atë që kishte ndodhur, e për të cilat ai nuk ishte gjithaq i njoftuar.

Nëse këtë qasje tonën e përmbyllim me pyetjen e fillimit: A ka Kosova strategji shtetërore për menaxhimin e situatave që sfidojnë integritetin dhe sovranitetin e saj, atëherë na nevojitet urgjentisht të konsolidojmë ato parametra të zhvillimit tonë shoqëror, politik e intelektual të cilat do të mund të shndërroheshin në një platformë të gjerë veprimi.

Prishtinë, 17 prill, 2021