Miliona gra dhe vajza në botë nuk mund t’i marrin vetë vendimet që kanë të bëjnë me trupin e tyre, thotë agjencia e OKB-së që merret me çështjet e popullsisë, UNFPA. Dhuna kundër grave është shtuar gjatë pandemisë.
Sipas një raporti të OKB-së, miliona grave në botë u mohohet e drejta për të vendosur të lira për çështje që kanë të bëjnë me trupin e tyre. Për shembull, vetëm 55 përqind e grave në 57 vendet e përfshira në studim mund të vendosin vetë me kë duan të bëjnë seks, nëse duan të mbrohen për të mos mbetur shtatzënë dhe nëse duan të marrin kujdes mjekësor, thuhet në raportin e agjencisë UNFPA të OKB, të publikuar të mërkurën (14.04). Pjesës tjetër të grave u lejohet të marrin vendime të lira në një ose disa nga këto fusha. Kjo gjë është indinjuese, thotë shefja e UNFPA, Natalia Kanem. Raporti sivjet merret me vendimet që gratë duan t’i marrin vetë për trupin e tyre dhe me integritetin e vajzave dhe grave. “Në thelb miliona gra dhe vajza nuk janë zot mbi trupin e tyre. Jeta e tyre varet nga njerëz të tjerë,” denoncon Kanem.
Sipas raportit që me fillimin e pandemisë së Coronës edhe më shumë gra dhe vajza se më parë janë kërcënuar nga dhuna gjinore dhe praktikat e dëmshme si martesat në moshë minorene. Për këtë kanë kontribuar mes të tjerave edhe mbylljet e shkollave për shkak të pandemisë.
Rritje të madhe vërejnë autoret e raportit edhe tek gjymtimet e gjenitaleve femërore: Sipas vlerësimeve të UNFPA, në kuadër të pandemisë së Coronës janë shtuar 2 deri 4 milionë raste të tjera tek gjymtimet gjenitale femërore. Suksese në mënjanimin e kësaj praktike mund të shënohen vetëm në vitin 2030, me uljen e një së tretës së rasteve.
Mungesa e shkollimit do të thotë më pak vendime të marra vetë
Autoret e studimit shohin një lidhje të ngushtë midis vetëvendosjes seksuale dhe nivelit të shkollimit të grave. Gratë që janë më pak të shkolluara se bashkëshortët ose partnerët e tyre, përjetojnë sipas raportit më shpesh dhunë seksuale se sa gratë tek të cilat niveli i shkollimi i përgjigjet pak a shumë atij të burrit.
Shumë vajza dhe gra nuk e dinë që kanë të drejtë të refuzojnë marrëdhëniet seksuale, thuhet në raport. Kështu për shembull një studim në Indi ka treguar se gratë e sapomartuara në Indi, e përshkruajnë shpesh herën e parë të kryerjes së marrëdhënieve seksuale si të detyruar ose të kryer pa dëshirën e tyre”, sepse prej tyre pritet që kur të martohen të kryejnë marrëdhënie seksuale. Norma dhe qëndrime të tilla pengojnë shpesh që gratë të marrin vetë vendimet për t’u mbrojtur gjatë marrëdhënieve seksuale, për të mos mbetur shtatzënë, gjë që ndodh edhe sepse shumë burra mendojnë në shumë vende se është e drejta e tyre për të vendosur mbi madhësinë e familjes dhe numrin e anëtarëve të saj. Shefja e UNFPA, Kanem i kërkon komunitetit ndërkombëtar që të luftojë më me vendosmëri për barazinë gjinore.