Brukseli dëshiron që pasaportat e vaksinave të jenë funksionale në të gjithë Bashkimin Europian deri në fund të qershorit.
Skemat pilot do të fillojnë në fillim të atij muaji, me qëllim që i gjithë sistemi të funksionojë deri në 21 qershor, tha Didier Reynders, komisioneri Evropian për drejtësinë.
Komisioni Europian kishte synuar që e ashtuquajtura “Certifikata e Gjelbër Dixhitale” të ishte plotësisht funksionale që në fund të majit, pasi shumë shtete anëtare janë të varura nga turizmi, siç është Greqia dhe Spanja. Por tani për tani ky synim ka rënë poshtë.
“Është urgjente. Sigurisht, ne duam të jemi gati para verës. Për fundin e qershorit, ne duam të jemi gati me rregulloren,” u tha ai eurodeputetëve.
Reynders gjithashtu theksoi se “Certifikata e Gjelbër Dixhitale” nuk është vetëm një pasaportë e thjeshtë vaksinimi.
“Komisioni po punon shumë fort për të siguruar mbulim të gjerë të vaksinimit të popullatës europiane për të parandaluar diskriminimin e individëve që nuk janë vaksinuar ende”.
Eurodeputeti holandez Tineke Strik tha për Euronews se pasaportat kombëtare të vaksinave të vendeve të BE-së duhet të lejohen në të gjithë unionin për të shmangur çdo diskriminim.
Disa eurodeputetë argumentuan në takim se gjithçka duhet të bëhet për t’i bërë testet falas ose sa më lirë dhe që kjo të rregullohet në nivelin e BE-së.