Ballina Aktualitet SHBA rekomandon pezullimin e përkohshëm të vaksinës Johnson&Johnson

SHBA rekomandon pezullimin e përkohshëm të vaksinës Johnson&Johnson

 

 

Agjencitë shëndetësore të SHBA rekomanduan të martën ndërprerjen e përkohshme të përdorimit të vaksinës me një dozë të vetme Johnson & Johnson, pasi gjashtë persona shfaqën një simptomë të rrallë që përfshinte mpiksje të gjakut.

Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) do të mbajnë një takim të mërkurën për të shqyrtuar rastet.

“Derisa të përfundojë ky proces, ne rekomandojmë këtë pauzë. Kjo është e rëndësishme që komuniteti i ofruesve të kujdesit shëndetësor të jetë i vetëdijshëm për mundësinë e këtyre ngjarjeve anësore dhe të mund të bëjë planifikimet e nevojshme për shkak të trajtimit të veçantë që kërkon kjo lloj mpiksje gjaku,” tha Administrata e Ushqimit dhe e Barnave në një deklaratë.

Të gjashtë personat ishin gra midis moshave 18 dhe 48 vjeç. Një grua vdiq dhe një tjetër në Nebraska është shtruar në spital në gjendje të rëndë, njoftoi gazeta New York Times, duke cituar zyrtarët.

CDC dhe Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave thanë në një deklaratë të përbashkët se raste të tilla duket të kenë qenë jashtëzakonisht të rralla deri tani.

Që nga 12 prilli, në Shtetet e Bashkuara janë administruar më shumë se 6.8 milion doza të vaksinës Johnson & Johnson.

Kjo masë e autoriteteve amerikane vjen më pak se një javë pas njoftimit të rregullatorit evropian të barnave se po shqyrtonte rastet e rralla të mpiksjes së gjakut tek katër persona në Shtetet e Bashkuara që morën vaksinën.