Shtetet e Bashkuara u bashkuan zyrtarisht të enjten me grupin e OKB-së për klimën dhe sigurinë si pjesë e fokusit të administratës së Presidentit Biden për t’u angazhuar në zbutjen e të gjitha ndikimeve të krizës klimatike.
“Kjo është një çështje kritike për Organizatën e Kombeve të Bashkuara sepse ky nuk është një kërcënim vetëm ndaj klimës por edhe ndaj sigurisë sonë kolektive”, u tha gazetarëve ambasadorja amerikane Linda Thomas-Greenfield.
Ajo vuri në dukje se Pentagoni ka deklaruar ndryshimin e klimës si një kërcënim të sigurisë kombëtare dhe një shumëzues të kërcënimit.
“Kjo është e rëndësishme sepse moti i paparashikueshëm dhe ekstrem do t’i pakësojë edhe më tej burimet jetike, si ushqimi dhe uji, në vendet e varfra”, tha ajo. “Mungesa nxit dëshpërimin dhe dëshpërimi, natyrisht, çon në dhunë.”
Ajo tha se me ritmin aktual, miliona njerëz në të gjithë planetin do të shtyhen në migrim masiv për shkak të ndikimit të ngrohjes globale, që do të minonte paqen dhe sigurinë.
“Lajmi i mirë është se ne mund të ndërtojmë qëndrueshmëri, mund të shmangim kërcënimet e sigurisë dhe madje mund të krijojmë mundësi ekonomike, nëse punojmë së bashku”, tha ambasadorja amerikane.
Grupi i Miqve të OKB-së për Klimën dhe Sigurinë u krijua në 2018 dhe tani, së bashku me Shtetet e Bashkuara, ka 56 vende anëtare.
“Angazhimi i Shteteve të Bashkuara në zhvillimin dhe miratimin përfundimtar të Marrëveshjes së Parisit ishte jetik”, tha Margo Dieye, ambasadore e Republikës së Naurus në OKB, vendi i së cilës është bashkëkryesues i grupit, së bashkua me Gjermaninë.
“Unë pres që ata do të sjellin të njëjtin nivel angazhimi për veprim të koordinuar ndërkombëtar në Grupin e Miqve për Klimën dhe Sigurinë”, tha ambasadorja Dieye.
Marrëveshja e Parisit për Klimën, e nënshkruar nga pothuajse çdo vend i botës, synon të pakësojë çlirimin e gazrave serrë dhe të kufizojë rritjen e temperaturës së planetit gjatë këtij shekulli në 2 gradë Celsius, ndërsa punon për të kufizuar edhe më tej rritjen, në 1.5 gradë.
Një nga qëllimet e Grupit të Miqve është ta bind Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres që të caktojë një të dërguar special për klimën dhe sigurinë. Zoti Guterres tashmë ka dy të dërguar të klimës: Michael Bloomberg, ish-kryebashkiak i qytetit të Nju Jorkut dhe kandidat presidencial i demokratëve, është i Dërguari Special i organizatës për Zgjidhjet Ambicioze të Çështjeve të Klimës dhe kanadezi Mark Carney është i dërguari i ngarkuar me financimin e veprimeve në lidhje me çështjet e klimës.
Vit kritik
“2021 është një vit kritik për veprime kolektive kundër emergjencës klimatike”, tha Sekretari Guterres në një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbi këtë temë në shkurt.
Guterres
Presidenti amerikan Joe Biden do të jetë mikpritës i Takimit të Udhëheqësve për Klimën më vonë këtë muaj, dhe në nëntor do të shkojë në një takim tjetër në Glasgou të Skocisë, për një konferencë mbi vlerësimin e zbatimit të Marrëveshjes së Parisit.
Ndërsa është shënuar përparim në këtë drejtim, ai ka qenë i pamjaftueshëm për përmbushjen e objektivave të marrëveshjes në kohë. Sekretari Guterres shpreson se vendet e botës do të shtojnë angazhimet e tyre në dy takimet e këtij viti.
Presidenti Biden është zotuar të vendosë klimën në qendër të politikave të administratës së tij.
Disa orë pasi bëri betimin në 20 janar, ai nënshkroi një dokument për ta kthyer vendin në Marrëveshjen e Parisit për Klimën, të arritur në 2015, nga e cila ish Presidenti Donald Trump tërhoqi Shtetet e Bashkuara në 2017, duke thënë se veprimi i tij ishte “në interesin ekonomik të Amerikës”.
Presidenti Biden gjithashtu ka emëruar ish Sekretarin e Shtetit John Kerry si të dërguarin e parë presidencial të Shteteve të Bashkuara për klimën dhe e bëri atë pjesë të Këshillit të tij të Sigurisë Kombëtare.