Zgjedhjet e 25 Prillit por dhe ecuria e Reformës në Drejtësi dhe mbështetja ndaj saj kanë qenë në qendër të bisedimeve që , Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit Matthew Palmer, zhvilloi sot online me përfaqësuesë të lartë politikë të Shqipërisë, Presidentin Ilir Meta, Kryeministrin Edi Rama dhe Kryetarin e PD-së Lulzim Basha si dhe me drejtuesë të institucioneve të Drejtësisë dhe përfaqësuesë të shoqërisë civile.

Sipas një njoftimi të ambasadës amerikane “me secilin prej udhëheqësve, Zëvendës Ndihmës Sekretari Palmer theksoi rëndësinë e roleve të tyre përkatëse, përfshirë edhe rolet institucionale të Presidencës dhe Kryeministrisë ashtu siç përcaktohen në Kushtetutë. Institucionet dhe udhëheqësit politikë mbartin përgjegjësinë për t’u siguruar që zgjedhjet e ardhshme të jenë të lira dhe të ndershme, me rregulla që janë të paanshme, transparente dhe në kohë”.

Vetë zoti Palmer, në një bisedë që pati më pas me disa gazetarë shqiptarë shpjegoi se me përfaqësuesit politikë të Shqipërisë kishte diskutuar mbi “rëndësinë që Shtetet e Bashkuara i kushtojnë garantimit që zgjedhjet të ishin të lira dhe transparente dhe të zhvilluara sipas standardeve më të larta demokratike; që listat e kandidatëve të ishin të pastra; që ata të cilëve nuk iu duhen besuar poste me përgjegjësi të mos përfshiheshin në listat e kandidatëve; rëndësinë që ka që të sigurohet besim i publikut shqiptar në rezultatet e zgjedhjeve; që të kenë besimin që rezultatet pasqyrojnë vullnetin e elektoratit; që qeveria që del nga zgjedhjet është një shprehje legjitime e vullnetit të popullit”. Ai shtoi më tej se “është e rëndësishme që zgjedhjet e 25 prillit të jenë të suksesshme, jo në kuptimin e fitores së një partie të caktuar apo një kandidati të caktuar, por të suksesshme institucionalisht, nga pikëpamja e procesit dhe strukturalisht, në mënyrë që të shihen si të drejta dhe transparente dhe të ofrojnë një rezultat që pasqyron vullnetin e atyre që dolën për të votuar dhe ushtruar të drejtat e tyre demokratike”.

Lidhur me Reformën në Drejtësi, zoti Palmer “gjithashtu përforcoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për zbatimin e saj, duke vërejtur përparimin domethënës që është bërë gjatë vitit të fundit”. Vetë Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit tregoi se në bisedat me Presidentin, Kryeministrin dhe kreun e opozitës “parashtrova pritshmëritë e Shteteve të Bashkuara që përpjekjet për reformën në drejtësi do të vazhdojnë. Kjo nuk ishte një çështje e lidhur vetëm me një periudhë zgjedhore. Synimi i vërtetë nuk është përsosmëria në reformën në drejtësi. Synimi është që sot të jetë më mirë se dje dhe nesër më mirë se sot dhe kjo është diçka për të cilën të gjithë nevojitet të punojmë në shoqëritë tona – dhe përfshij edhe Shtetet e Bashkuara këtu – për të mbetur vigjilentë që figurat politike të mbahen përgjegjëse për sjelljet e tyre. Për ata që keqpërdorin postet e besimit publik duhet të ketë llogaridhënie dhe publiku duhet të ndjejë që ligji aplikohet drejt dhe në mënyrë të barabartë, që të gjithë ne, të gjithë ne, ballafaqohemi me të njëjtat standarde dhe që jemi të gjithë të barabartë përpara ligjit. Ky është synimi. Është një aspiratë. Është e tillë që drejt saj duhet të punojmë të gjithë ne. Mendoj se kemi parë përparim të vërtetë në reformën në drejtësi, por kushdo, sigurisht Shtetet e Bashkuara, unë, Ambasadorja Kim, dhe për këtë mendoj flas edhe në emër të Kryeministrit dhe Presidentit, si dhe të udhëheqësve të partive opozitare – mendoj që të gjithë ne, kolektivisht, e kuptojmë që ka ende shumë punë për të bërë, dhe kjo duhet të jetë përparësi për Shqipërinë, nëse Shqipëria do që të ecë përpara në rrugën e saj europiane”.

Sipas njoftimit të ambasadës amerikane “gjatë një tryeze të rrumbullakët me përfaqësues nga institucionet e drejtësisë, shoqëria civile dhe media, zoti Palmer, i nxiti këta “Kampionë të Reformës në Drejtësi” në përpjekjet e tyre, në mënyrë që populli shqiptar të ketë drejtësi të vërtetë”.

Bisedimet e sotme me drejtuesit politikë të vendit, kishin si synim që të konfirmonin “rëndësinë e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri ndërsa festojmë 30-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Ata rikonfirmuan përkushtimin tonë të përbashkët për të zgjeruar bashkëpunimin dypalësh në fushën e demokracisë, mbrojtjes dhe biznesit’, bën të ditur njoftimi i ambasadës, sipas të cilit “në fund, Zëvendës Ndihmës Sekretari Palmer theksoi rëndësinë strategjike të stërvitjes ushtarake Defender 21, e cila do të jetë stërvitja më e madhe ushtarake shumëpalëshe që zhvillohet në Ballkanin Perëndimor”.