Pandemia e Coronës po na tregon se kritika armiqësore, shitja mend, pesimizmi nuk të nxjerrin nga kriza, por çojnë në një shoqëri të pamëshirmshme, mendon Astrid Prange de Oliveira. Një opinion për një kulture të faljes.

Symbolbild - Internationaler Tag des Vergebens

Çfarë fjalie profetike! “Ne do duhet t’i falim shumë njëri-tjetrit për disa muaj”, u shpreh ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn para një viti. Ai pati të drejtë dhe ecën me shembullin e vet përpara. Sepse pa kërkim falje dhe faljen, për këtë jam e bindur, ne nuk dalim dot nga kriza e Coronës pas gjithë atyre vendimeve të gabuara dhe pasigurive. Kancelarja Angela Merkel duket se e bëri të sajën këtë këshillë dhe pas idesë për “qetësinë e pashkëve”, një superlockdowni të pamundur, ajo e tërhoqi atë shpejt dhe kërkoi falje për një gabim, për të cilin “vetëm” ajo për shkak të postit mban përgjegjësinë.

Kritikat poshtëruese të vazhdueshme ndaj politikanëve janë të rrezikshme

Gjesti i Merkelit tregoi një gjë: Shitja mend dhe negativizmi nuk të nxjerrin nga kriza e Coronës. Më shumë se kaq, virusi i zbulon menjëherë pa mëshirë politikanët që vetëm kritikojnë, dënojnë dhe kërkojnë të inskenohen vetë si shpëtimtarë. Kritikat poshtëruese të vazhdueshme kundër politikanëve në valën e tretë të pandemisë janë një lojë e rrezikshme. Kjo shton pakënaqësinë dhe çon në humbjen e besimit. Deputeti i CDU-së Albert Weiler duket se e pranon këtë rrezik. Në një letër të hapur ai e kritikoi Merkelin ashpër: „Nëse juve pas një viti të Coronës nuk iu bie gjë tjetër ndërmend, se të zgjasësh pa kuptim lockdownin dhe ta ashpërsosh në kohën e Pashkëve, atëherë për njerëzit në këtë vend ky është dështim i politikës.”

Weiler e quan vendimin e konferencës së kryeministrave një “deklarim kapitullimi”. Politika e kancelares është „pa plan, pa ide, e paguximshme. Mungesa e kurajos po bën që populli të humbasë shpresën. E kjo është më e keqja që mund të ndodhë.”

Apokalips i përditshëm

Me këtë kritik ky rebel i Merkelit nuk është vetëm. Së bashku me politikanë të opozitës ai kërkon që Merkel të kërkojë mocionin e votëbesimit. Të tjerë madje kërkojnë që Merkel të dorëhiqet.

Për të mos pasur keqkuptime: Bën pjesë tek të drejtat bazë të një demokracie funksionuese që të kritikosh kancelaren federale, pavarësisht, se cilës parti i përket. Sidomos kjo vlen në situata krizash, ku kritika konstruktive mund të bëjë që të nisen korrigjime të rëndësishme të kursit të politikës.

Por thirrja e përditshme për apokalips nuk është pjesë e një kritike konstruktive, po ashtu si edhe poshtërimi i vazhdueshëm i përgjegjësve të politikës. Politikanë që rregullisht i adresohen kategorisë së vet duke i hequr çdo kompetencë dhe empati, duhet të mendohen mirë për pasojat katastrofike të zemërimit të kudogjendur me politikën. Një vështrim në Brazil apo SHBA mjafton.

Corona si test i stresit

Mënyra e sjelljes e pamëshirshme me politikanët nuk të çon në një politikë pa gabime dhe shoqëri funksionuese pa asnjë problem, por në një shoqëri të pamëshirshme. Nëse të mandatuarit nuk janë në gjendje të debatojnë me fakte për përmbajtjet, pse duhet ta bëjë këtë zgjedhësi? Pandemia nuk na e mban vetëm pasqyrën përpara, tha presidenti Steinmeier në një fjalim të Pashkëve. Ajo i vë në një test stresi të jashtëzakonshëm vendin dhe përgjegjësit e politikës. Unë vetë jam e bindur, që një test i tillë stresi mund të fitohet, nëse ne falim më shumë se dënojmë, nëse vlerësojmë më shumë se të qahemi dhe të veprojmë më shumë se të ankohemi.

Corona më kujton gjithmonë, se si unë vetë i mënjanoj faktet e forta, që edhe jeta ime në fakt është e varur në fije të perit. Dhe sa shpesh më duhet të pyesja veten këto kohë: Pse nuk fal më shumë e pse nuk kam më shumë empati? Do ta kisha vazhduar grindjen me të afërm, nëse do ta dija, se i afërmi im për disa ditë do të ndërronte jetë?

Prandaj unë gëzohem për secilin politikan që kërkon të falur me ndershmëri. Sepse në kërkimin e faljes ndodhet edhe pranimi e vetëdija e gabimit. Dhe kjo vetëkritikë e dhimbshme e hap rrugën të mësosh nga gabimet e tua, të përmirësosh gjërat që duhen dhe të mposhtësh krizat.

E për sa kohë në Gjermani ka politikanë që kërkojnë falje, jam me besim, se Gjermania do ta kalojë këtë krizë, edhe nëse nuk është kampione e luftës kundër pandemisë. Të falësh është më mirë se mungesa e përzemërsisë, e vdekja nuk duhet ta ketë fjalën e fundit. /DW/ Astrid Prange De Oliveira /