NATO shënon këtë javë 72 vjetorin e themelimit të saj. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell njofton se aleanca ushtarake përballet me sfida dhe kërcënime të reja.
Një sfidë e njohur për NATO-n, trupat ruse, të cilat në fillim të këtij muaji kryen stërvitje në Krime, pjesë e Ukrainës, aneksuar me forcë nga Rusia në 2014. Presidenti i Ukrainës thotë se ka vetëm një zgjidhje për të ndalur agresionin rus, që vendi i tij t’i bashkohet NATO-s.
Kanë kaluar 72 vjet që kur aleatët perëndimorë nënshkruan Traktatin e Uashingtonit në vitin 1949 për të krijuar NATO-n, bazuar në parimin e vetëmbrojtjes kolektive.
Rusia mbetet sfida më e madhe për aleancën, thotë analisti Jonathan Eyal.
“Ne kemi një Rusi e cila jo vetëm që është e gatshme të përdorë forcën për të kërcënuar vendet evropiane, por në të vërtetë ka përdorur forcën dhe ka aneksuar me forcë një pjesë të një territori që i përket një vendi tjetër, më pak se dhjetë vite më parë. Kjo nënvizon rëndësinë e NATO-s si një strukturë sigurie në Evropë”, thotë ai.
NATO vazhdon të rritet. Maqedonia e Veriut iu bashkua aleancës në mars të vitit 2020. Bosnja-Hercegovina është një kandidat zyrtar ndërsa Ukraina e Gjeorgjia dy vende që synojnë anëtarësimin. Ndërkohë Presidenti amerikan Joe Biden ka rikonfirmuar angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj kësaj organizate. Paraardhësi i tij Donald Trump e quajti dikur NATO-n “të vjetëruar”, gjë që shkaktoi tronditje mes vendeve të aleancës transatlantike.
“Ardhja e Presidentit Biden në Shtëpinë e Bardhë fshiu menjëherë të gjitha dyshimet“, thotë Jonathan Eyal, i Institutit Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara (RUSI).
Analistja Simona Soare thotë se Presidenti Biden po bën presion që NATO të përballet me kërcënimet e tjera strategjike.
“Bashkëpunimi mbi ndryshimet klimatike, pasi ka të bëjë me sigurinë dhe mbrojtjen, por edhe më gjerë se kjo, teknologjia, një qasje e re ndaj Rusisë dhe Kinës, një qasje e re rreth asaj se si duhet mbështetur e mbrojtur demokracia nga dezinformimi si dhe ndaj fushatave të synojnë ta minojnë atë”, thotë ajo.
NATO përballet me sfida të shumta, përfshirë dhunën e vazhdueshme në Afganistan. Sulmet e vazhdueshme po i ndërlikojnë përpjekjet për t’i dhënë fund misionit gati 20-vjeçar të NATO-s. Gjithashtu tensionet e brendshme vijojnë të ziejnë, kryesisht mbi shpenzimet lidhur me mbrojtjen.
“Më shumë se 90% e popullatës së Bashkimin Evropian, jeton në një vend anëtar të NATO-s. Por vetëm 20% e shpenzimeve të NATO-s për mbrojtjen vijnë nga vendet që janë anëtare të NATO-s e BE-së”, thotë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg.
Shtetet e Bashkuara ka të ngjarë të vazhdojnë të ushtrojnë presion ndaj vendeve anëtare të BE-së për të shpenzuar për mbrojtjen 2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Një objektiv për të cilin është rënë dakord në samitin e NATO-s të vitit 2014 në Uells.
“Presidenti Biden ishte një nga arkitektët e angazhimit të dhënë në Uells, ndaj në këtë kuptim ai është shumë i lidhur me idenë se Evropianët duhet të vazhdojnë të investojnë më shumë në mbrojtjen e tyre“, thotë Simona Soare, e Institutit të Bashkimit Evropian për Studime mbi Sigurinë.
Ndërkohë Turqia ka blerë një sistem rus të mbrojtjes nga raketat, çka ka zhgënjyer aleatët e NATO-s.
“Edhe Turqia nuk beson se do të jetë më mirë jashtë NATO-s sesa brenda aleancës“, thotë Jonathan Eyal, i Institutit Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara.
Pavarësisht tensioneve NATO vazhdon të mbetet themeli i sigurisë evropiane ndërsa aleanca po hyn në vitin e 73-të që prej themelimit të saj.