Më vranë
Me pushkën e Mëngjezit,
Me plumbin e Natës,
Në zemrën e Shpresës,
Në shpirtin e Andrrës.
Më ecin në trup,
Si rruazat e kuqe e të bardha,
Plumbat duke më vrarë…
Atdhe, ndaj teje nuk kam gjak për të marrë
Po më çon larg Teje, Atdhe.
Mërgimtar me pashaportë
Me trupin plot Plagë…
Nuk po më lenë në Tokën Time
Të kem shumë ëndrra,,,
e… një varr.
Atdhe, po rri me Ty.
Nuk të marr dot me veti
Me histori, gjeografi, kujtime, madhështi…
Në udhët përtej Malit,
përtej Detit…
Me foto e fjalë nuk të nxenë
As fejzbuki i Mark Zuckerbergit.
Atdhe, te dy bashkë, Unë e Ti,
Do të presim:
Yllin e Mëngjezit…
Tiranë, 4 tetor 2015